Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 5 mars:
Një natë e gjatë mbaroi pa ndonjë zgjidhje dhe Kosova nuk ka president të ri.
E enjtja e 5 marsit ishte afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet t’i niste procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.
Dita nisi me vetëm një kandidat të propozuar për president - Glauk Konjufcën e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje - ani pse nevojiteshin të paktën dy për të pasur garë.
Derisa propozimi për kandidatin e dytë po mungonte, në një kthesë të papritur, presidentja Osmani i kërkoi Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit përmes votës së popullit, e jo votimit në Kuvend siç kërkohet, aktualisht.
Ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk kaluan në Kuvend dhe partia e kryeministrit Albin Kurti doli me kandidaten e dytë për president në çastin e fundit: Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën.
Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por opozita e braktisi sallën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pati rrugëdalje tjetër pos ta ndërpriste seancën në mungesë të kuorumit.
Ajo më pas njoftoi se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para skadimit të afatit për emërimin e tij.
Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.