Ndërlidhjet

S'ka koalicione, dy blloqet sytë kah LDK-ja


Bilbordet e partive politike të vendosura në Prishtinë
Bilbordet e partive politike të vendosura në Prishtinë

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë krijuar koalicione paszgjedhore për krijimin e Qeverisë së re të vendit.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, i njohur si koalicionin PAN, i cili prin me numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, 39 sish, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 32 ulëse, synojnë që koalicionin për qeverisje ta krijojnë me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që ka fituar 29 ulëse.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se koalicionit PAN, si koalicioni me më së shumti ulëse në Kuvend, do ta ofrojë mandatarin e parë për kryeministër të vendit, Ramush Haradinajn. Sipas tij, Haradinaj është duke komunikuar më Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e një koalicioni qeverisës, por ende nuk është konkretizuar ndonjë marrëveshje.

Megjithatë, siç thotë Lekaj, koalicioni PAN ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 deputetësh, që do ta votojnë Qeverinë e Haradinajt, në të cilin numër janë përfshirë edhe deputet të partive tjera.

Ne e kemi potencuar, por edhe vet zoti Haradinaj e ka thënë, që i kemi 61 deputetë që do ta mbështesin Qeverinë Haradinaj. Por, në këto ditët në vijim, pritet edhe ndonjë koalicion i mundshëm me subjektet tjera politike. Në këtë rast, mendoj për LDK-në dhe AKR-në. Nëse nuk pajtohemi me LDK-në dhe AKR-në, atëherë ne mund të themi se e kemi një Qeveri me 61 ose 62 deputetë dhe që do të jetë funksionale dhe do t’iu shërbej qytetarëve”, tha Lekaj.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, pretendon ta japë mandatarin e saj për kryeministër që do ta formonte Qeverinë e re të vendit, në rast se dështon votimi i mandatarit të ofruar nga koalicioni PAN.

Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti politik që përfaqëson ajo, ende nuk ka ndonjë marrëveshje për koalicion qeverisës me asnjë subjekt politik. Por, ajo nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit edhe me deputetët e koalicionit PAN.

Ne ende nuk kemi lidhur koalicion paszgjedhor me ndonjë nga subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvend, gjegjësisht me koalicionet e krijuara para zgjedhjeve, për formimin e Qeverisë së re. I kemi bërë një ftesë publike Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionit AKR-së dhe Alternativës, si dhe deputetëve të koalicionit PAN, deputetëve individualisht, të cilët dëshirojnë dhe mendojnë se duan ta çojnë në fund vullnetin e qytetarëve, i cili kësaj here qartë votoi për ndryshim”.

Kush do të jetë kryeministër - Haradinaj apo Kurti?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Në anën tjetër, Lekaj thotë se lidhur me krijimin e koalicionit qeverisës, koalicioni PAN nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë ta bëj edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Jo, nuk e kemi përjashtuar. Por edhe nuk kemi biseduar me ta, sa i përket Vetëvendosjes”, tha Lekaj.

Megjithatë, Pantina thotë se Lëvizja Vetëvendosje synon më shumë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka pasur edhe një telefonatë më herët me kryetarin e LDK-së, (Isa) Mustafa dhe jemi në pritje që të fillojmë bisedimet me ta për harmonizimin e programit qeverisës, pasi që ka disa çështje, për të cilat është e natyrshme që kemi mendime të ndryshme, sepse jemi subjekte politike të ndryshme. Po ashtu, për të përcaktuar edhe prioritetet e Qeverisë, e cila duhet të dalë. Por, ne duhet të presim, fillimisht, që të konsumohet e drejta e koalicionit PAN për të dominuar kandidatin”, thekson Pantina.

Sidoqoftë, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk kanë dalë më ndonjë qëndrim lidhur me ndonjë koalicion paszgjedhor të mundshëm. Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të kontaktuar me zyrtarët e LDK-së, e cila ka numrin më të madh të deputetëve të zgjedhur brenda koalicionit që i përket, ata nuk kanë qenë të qasshëm.

XS
SM
MD
LG