Kush është në garë?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 24 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në mesin e tyre janë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë, të certifikuar nga KQZ-ja nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, ndërsa 61 mandate janë të nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e Qeverisë.
Kush voton dhe ku?
Të drejtë vote në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë kanë 1.999.024 qytetarë.
Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00, në 910 qendra votimi me gjithsej 2.557 vendvotime në të gjithë vendin.
Përveç qendrave të rregullta, në çdo komunë ka edhe një qendër për votim me kusht.
Një ditë më herët, në përfaqësitë diplomatike të Kosovës votoi edhe diaspora.
Radoniqi voton i pari në Pejë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, votoi i pari në Pejë, pak minuta pas orës 07:00.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Radoniqi tha se nga ana e KQZ-së janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se, pavarësisht kohës së shkurtër, procesi ka nisur me kohë.
Sipas tij, edhe procesi i votimit në diasporë, që u zhvillua një ditë më herët, ka shkuar shumë mirë.
Zgjedhjet e dyta brenda vitit
Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas dështimit për të formuar Qeverinë e re nga zgjedhjet e shkurtit.
Asnjëra nga partitë nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për ekzekutivin e ri.
Për shkak të ngërçit politik dhe pamundësisë për marrëveshje, Kuvendi u shpërnda dhe u shpallën zgjedhje të parakohshme.
Procesi synon t’i japë vendit institucione funksionale dhe një Qeveri të re me mandat të plotë.