Ndërlidhjet

Komisioneri i ri i zgjerimit të BE-së do që procesi të bëhet më dinamik


Komisioneri i ri për zgjerim, Oliver Harhelyi.
Komisioneri i ri për zgjerim, Oliver Harhelyi.

Në një debat për zgjerimin e Bashkimit Evropian, të zhvilluar të martën në Parlamentin Evropian, ku morën pjesë edhe deputetë të vendeve të rajonit, me përjashtim të Kosovës, presidenti i PE-së, David Sassoli bëri thirrje që sa më shpejt të vazhdohet procesi i zgjerimit të bllokut, pasi sipas tij, kjo është në interes të forcimit të BE-së.

Sassoli tha se Parlamenti Evropian do të insistojë që sa më shpejt të nisin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe që shtetet të avancojnë drejt BE-së. Sipas tij, duhet të vazhdohen edhe reformat që kërkohen nga Brukseli.

Kreu i PE-së, David Sassoli tha se asnjëherë nuk duhet të harrohet se procesi i zgjedhimit është interes politikë dhe gjeografik i BE-së. Forcimi i BE-së, në kohën e sfidave globale, sipas tij, sigurohet edhe përmes zgjerimit të saj.

Ai përmendi edhe rolin e madh të mediave për të nxitur zhvillimet në BE dhe në zhvillimin e dialogut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ai paralajmëroi takime më të sheshta mes parlamentarëve të BE-së dhe atyre të vendeve të rajonit të Ballkanit.

Në këtë debat mori pjesë edhe Komisioneri i ri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, në paraqitjen e tij të parë që prej se mori mandatin për këtë post.

Varhelyi tha se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për BE-në dhe për të personalisht.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektiv të vërtetë në BE, por për ta bërë këtë realitet duhet të ketë fokus në reforma të vërteta në rajon. Investimet ekonomike, liritë për njerëzit, rritja e standardit jetësor duhet të jenë prioritete. Komisioni në fillim të vitit të ardhshëm do të paraqesë raportin për forcimin e procesit të zgjerimit”, është shprehur komisioneri Varhelyi.

Varhelyi ka thënë se është i nevojshëm një angazhim i fortë politikë për reforma, jo për hir të BE-së, por të qytetarëve të shteteve të rajonit. Ai ka kërkuar që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës dhe sipas tij, në këtë pikë, roli i parlamenteve nacionale, duhet të ketë kryesor.

“Dua që procesi të jetë më dinamik, jo vetëm të jetë fokusi në hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Duhet të mundësohet që sa më herët vendet e Ballkanit të përfshihen në disa politika edhe para se të anëtarësohen në BE. Njerëzit të mos kenë nevojë që të presin anëtarësimin për të ndjerë benificionet”, tha Varhelyi.

Ai ka thënë se procesi i zhvillimit të integrimeve në BE mund të shkojë paralel edhe me zgjerimin. Komisioneri për zgjerim ka përsëritur se të gjithë kanë qenë të zhgënjyer nga mungesa e konsensusit mes shteteve të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qëndrimin se duhet të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe do të kërkojmë këtë para samitit të Zagrebit. Roli i Kroacisë në avancimin e procesit të zgjerimit do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim”, është shprehur komisioneri i ri për zgjerim, Oliver Varhelyi.

Sa i përket Kosovës, aika thënë se tash pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet sa më parë të formohet qeveria, e cila urgjentisht duhet të fokusohet në reforma, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të heqë taksat e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës për importin e mallrave.

Varhelyi ka paralajmëruar se ai do të ndihmojë edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell që të arrijë qëllimin e përmbylljes së suksesshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG