Ndërlidhjet

Zjarri vret 13 persona në një spital në Indi


Një pacient i infektuar me koronavirus duke u bartur nga spitali ku ka shpërthyer zjarri në Indi.
Një pacient i infektuar me koronavirus duke u bartur nga spitali ku ka shpërthyer zjarri në Indi.

Të paktën 13 pacientë kanë vdekur pas shpërthimit të zjarrit në njësitin e kujdesit intensiv në një spital indian, që trajton pacientët me koronavirus, afër Mumbait.

Zjarri, i cili ka shpërthyer të premten, është shuar dhe katër të mbijetuarit janë bartur në spitalet tjera në afërsi, kanë thënë autoritetet.

Ky incident vjen në kohën e përballjes së Indisë me valën e dytë të pandemisë.

Kjo valë e re e infektimeve ka mbingarkuar spitalet, duke krijuar vështirësi në sigurim të oksigjenit, shtretër dhe ventilatorë.

India ka regjistruar të premten 332,730 raste me koronavirus, shifrën më të lartë të raportuar në botë prej shpërthimit të pandemisë.

Numri i viktimave me koronavirus në 24 orët e fundit ka arritur në 2,263.

Zjarri ka shpërthyer në spitalin Vijay Vallabh në zonën Virar në Maharashtra, i cili është rreth 70 kilometra në veri të Mumbait.

Ende mbetet e paqartë si ka shpërthyer zjarri dhe andaj ministri i Maharashtras ka kërkuar hetime për rastin.

Kryeministri indian Narendra Modi ka shprehur ngushëllime dhe incidentin e ka quajtur “tragjik”.

Numri në rritje i rasteve të infektimit ka rezultuar me thellim të krizës shëndetësore, e cila ka prekur disa rajone indiane.

Modi pritet të mbajë të premten takime me ministrat e shteteve më të prekura dhe prodhuesit e oksigjenit.

Gjykata Supreme e Indisë i ka kërkuar Qeverisë qendrore një plan kombëtar deri të premten, me qëllim të rritjes së furnizimeve me oksigjen, ilaçe dhe vaksinim.

Maharashtra është shteti i prekur më së keqi nga pandemia dhe po përballet me mungesa të mëdha të oksigjenit.

Dy ditë më parë, 24 pacientë kanë vdekur në një tjetër pjesë të këtij shteti, pasi kanë humbur rrjedhën e oksigjenit me ventilatorët e tyre.

Disa indianë duke pritur në një qendër vaksinimi.
Disa indianë duke pritur në një qendër vaksinimi.

Së fundmi, disa spitale tjera në Delhi kanë raportuar ose për rrjedhje të oksigjenit, ose për zvogëlim të furnizimeve me shpejtësi.

Një numër i njerëzve kanë vdekur teksa kanë qenë duke pritur për furnizime dhe shumica e shtretërve për kujdes intensiv janë të zënë.

Për shkak të shqetësimeve në rritje për variantin indian të koronavirusit, Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar hyrjen e vizitorëve që shkojnë nga India në këtë shtet.

Kanadaja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar fluturimet e pasagjerëve për 30 ditë dhe Singapori ka rritur kufizimet për udhëtarët nga India.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG