Ndërlidhjet

Zyrtarët e lartë, të “amnistuar” nga drejtësia sa janë në pushtet


Zyrtarët e profilit të lartë që mund të bien ndesh me ligjin, rrallëherë përballen me drejtësinë në kohën sa ata janë duke ushtruar pozitën.

Të paktën gjatë tre vjetëve të fundit nuk ekziston asnjë zyrtar i profilit të lartë i cili është dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë dhe me burgim efektiv.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka monitoruar këto raste nga 1 janari 2016 deri më 1 dhjetor 2018, ku rezulton se gjykatat kanë trajtuar 58 aktakuza ndaj 67 personave të profilit të lartë.

Vetëm 12 prej tyre janë akuzuar gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet apo kanë mbajtur pozita të larta në institucione.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftraj, thotë se 55 prej tyre janë akuzuar vetëm pasi kanë përfunduar mandatin dhe pasi kanë pasur më pak fuqi politike.

“Ajo çfarë kemi gjetur është se prokurori i shtetit në numër shumë të kufizuar të rasteve i akuzon zyrtarët e lartë në kohën sa të njëjtit janë në pushtet. Mbi 55 raste, domethënëkemi gjetur se (janë akuzuar) vetëm pasi të njëjtit nuk kanë ushtruar më funksione publike, nuk e kanë pasur fuqinë politike në kohën kur kanë qenë ministra apo kryetarë të komunave, të njëjtit janë akuzuar. Ndërsa, janë vetëm 12 raste kur të njëjtit (janë akuzuar), domethënë që ushtrojnë në mënyrë efektive pozitat e larta shtetërore“, thotë për Radio Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Pavarësisht se përgjatë këtyre tre vjetëve, zyrtarë të ndryshëm u përballën me procese gjyqësore, numri më i madh i rasteve përfunduan me dënime me kusht apo edhe me aktgjykim lirues.

“Me vetë faktin se Kosova ka humbur për tre vjet dhe nuk e ka në burg asnjë zyrtar të lartë për korrupsion; Me vetë faktin që ky sistem nuk është në gjendje të ofrojë drejtësi, ky sistem nuk është në gjendje t’i plotësojë kriteret që Kosova ka, qoftë në procesin e liberalizimit të vizave, qoftë në procesin e integrimit evropian, atëherë del ajo që IKD-ja ka propozuar në tre vjetët e fundit, se e vetmja mënyrë për Kosovën për të adresuar çështjen e korrupsionit, krimit të organizuar, është të kemi një proces të verifikimit, vlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve në detyrë”, thekson Miftaraj.

Një nga problemet, me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, është edhe zvarritja e proceseve gjyqësore.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës - (KDI), mendon se zvarritja shpeshherë është e qëllimshme. Si pasojë e zvarritjes, Spahija thotë se edhe dënimi humbet kuptimin.

“Për shembull, nëse i marrim rastet e fundit, dënimet për vepra të korrupsionit, janë dënime qesharake do të thosha, për shkak se keqpërdorimi që është kryer është vërtetuar, e në anën tjetër dënimi që po jepet, është dënim me kusht".

"Realisht, është një lloj amnistie që po iu bëhet këtyre njerëzve karshi veprave që i kanë kryer, domethënë buxheti është dëmtuar edhe nëse është dëmtuar me një shumë të papërfillshme për buxhetin, megjithatë është i dëmtuar. Kjo politikë e dënimeve që po ndiqet nga gjykatat tona është njëfarëlloj kurajimi për njerëzit që punojnë aty brenda që të vazhdojnë të korruptojnë pasi që nuk ka kush çka u bënë dhe nuk ka gjykatë që i dënon”, thotë Spahija për Radio Evropa e Lirë.

Kosova vazhdimisht është kritikuar për mosluftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përkatësisht ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra penale.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell, duke folur për sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, tha se është e pakuptimtë që aktakuzat që ngrihen nga prokurorët, mbesin nëpër zyrat e Prokurorisë pa u dërguar në gjykatë. O’Connell, po ashtu, kritikoi gjykatat për zvarritje gjatë trajtimit këtyre lëndëve.

Së fundmi, edhe ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Kosova duhet të angazhohet në luftimin krimit të organizuar dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG