Pavarësisht vlerësimeve në nisje të procesit të dialogut si “historik” dhe fillim i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, shumëçka ka ngecur kohët e fundit.
Marrëveshja bazë e Prillit të vitit 2013 u arrit pak kohë pas fillimit të dialogut dhe ajo mundësoi hapjen e një numri temash të rëndësishme. Por, dialogu u fut në krizë; marrëveshjet nuk u zbatuan në tërësi, kurse vetë bisedimet u bënë jotransparente.
Për një pjesë të opinionit në Kosovë, dialogu ia hapi rrugën Serbisë drejt BE-së, por Kosovës ia pamundësoi këtë perspektivë, meqë Beogradi e pa dialogun jo si të barabartë mes dy shteteve.
Bashkimi Evropian iu kërkoi të dyja palëve që të përqendrohen në përmbushjen e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Vlerësimet për dialogun mbeten të ndryshme.
Ministrja për dialogun, Edita Tahiri, i tha Radio Evropa e Lirë se me dialogun janë arritur rezultate konkrete në disa prej temave, përfshirë policinë dhe doganat, shuarjen e strukturave paralele dhe ilegalen në veri të vendit, pjesëmarrjen e komunave në veri në zgjedhjet komunale të Kosovës,
“Kemi shuarjen e strukturave paralele të drejtësisë dhe në fund të qershorit do të bëhet edhe integrimi i gjykatësve dhe prokurorëve. Pra, ka përparime të mëdha", ka thënë Tahiri.
Por, ajo ka thënë se ka edhe ngecje të cilat me vështirësi po kalohen.
"Ngecjet kryesore janë në kodin telefonik, ku Serbia e ka shkelur marrëveshjen...fillimi i punës se KOST-it si sistem i pavarur i transmisionit në shtetin tonë. Pastaj, hapja e urës së Ibrit, dhe për këto çështje ia kemi bërë me dije Bashkimit Evropian dhe kemi thënë se pa përfundimin e këtyre çështjeve ne e kemi lënë në pritje çështjen e Asociacioni", tha Tahiri.
Por, për opozitën në Kosovë, e cila ka kundërshtuar dialogun dhe në veçanti Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke përdorur edhe gazin lotsjellës në Kuvend, dialogut politik Prishtinë- Beograd i ka humbur kuptimi.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është projektuar dhe nisur për t'i përmbushur kërkesat e Serbisë në raport me Kosovën dhe prandaj edhe ka përfituar vetëm shteti serb. Sipas tij, Serbia është përafruar me BE-në, kurse Kosovës i është cenuar integriteti i brendshëm.
"Është diskutuar vetëm për çështje të brendshme të Kosovës. Prandaj, s’ka pasur si të mos e ketë rezultatin që e ka. Ne besojmë që nuk ka kuptim asnjë dialog para se Serbia t'i plotësojë disa kushte në raport me Kosovën, si p.sh. njohja e shtetit tonë, shuarja e strukturave paralele, kërkim falja dhe dëmshpërblimet për masakrat dhe shkatërrimet në Kosovë, respektimi i të drejtave të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës", deklaroi Krasniqi.
Për analistin Krenar Gashi, dialogu në Bruksel që nga fillimi nuk ka qenë transparent dhe opinioni publik edhe në Prishtinë edhe në Beograd dinë shumë pak për strukturën, formën dhe mënyrën e dialogut.
"Është edhe një fatkeqësi e madhe e dialogut për arsye se si proces, si politikë e BE-së, nuk është konstruktuar që ta ketë një fillim, një vazhdim dhe një fund. Këtu nuk dihet se çfarë kahje do të marrë ky proces. Gjithçka varet nga kontributi i palëve dhe mënyra se si ato i vazhdojnë marrëveshjet", tha Gashi.
Për ish-deputetin Petar Miletiq, nga radhët e komunitetit serb, fillimi i dialogut në Bruksel ishte historik. Por, me ndryshimin e temave dhe me vazhdimin e tij, dialogu, siç tha ai, u stërkeq, u bë jotransparent dhe filluan interpretime të ndryshme nga palët.
"Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes së Brukselit, ajo e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe nuk është bërë. Gjyqësia në veri nuk është funksionalizuar dhe kjo është pjesë e marrëveshjes së parë, e të mos flas për temat më pak të dukshme, siç janë : telekomunikacioni, energjetika, diplomat, liria e lëvizjes...për këtë as një fjalë nuk është bërë", ka deklaruar Miletiq.
Dialogu në Bruksel rifillon së shpejti, pas një periudhë të pushimit, për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe kundërshtimeve në Kosovë. Temat sërish i janë kthyer atyre të fillimit: Kadastrit dhe Telekomunikacionit. Mbetet të shihet nëse ato do të kryhen me presion ndërkombëtar. (REL)