Viti i katërt i pushtimit të Ukrainës: A ka mësuar ushtria ruse të luftojë më mirë?

Forcat tokësore të Rusisë e kanë dobësuar mbrojtjen ukrainase gjatë një lufte të rraskapitshme, por me kosto astronomike.

Para Ukrainës, hera e fundit që Rusia e pushtoi plotësisht një vend tjetër sovran ishte Gjeorgjia. Moska doli fituese pas konfliktit 16-ditor në vitin 2008, por ai ishte i rrëmujshëm dhe tregoi se forcat e armatosura ruse kishin nevojë për një përmirësim të madh.

Katër vjet më parë, një ushtri ruse gjysmë e reformuar u vu sërish në provë, kur qindra mijëra trupa u dërguan në Ukrainë. Duke gjykuar nga humbjet marramendëse – më shumë se 1.2 milion të vrarë dhe të plagosur – kjo luftë duket dukshëm më e vështirë. Dhe, Moska ende nuk ka fituar.

Por, Forcat e Armatosura të Rusisë po mësojnë. Pyetja është sa kanë mësuar që nga 24 shkurti 2022.

“Ata po përshtaten me kushtet e fushëbetejës, por ndryshimet më të përhershme në forcë për sa i përket strategjisë dhe operacioneve do të ndodhin më pas”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Dara Massicot, eksperte i kamotshëm për Forcat e Armatosura Ruse dhe bashkëpunëtore në Institutin për Paqe Ndërkombëtare, Carnegie Endoëment.

SHIKONI EDHE: “Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton”: Situata në frontin e luftës

“Do ta karakterizoja më shumë si përshtatje sesa si reformë atë nëpër të cilën ka kaluar ushtria ruse, duke qenë se shumë nga kjo duket se nxitet nga presione të menjëhershme”, tha Nick Reynolds, hulumtues për luftën tokësore në Royal United Services Institute, një institut kërkimor në Londër.

“Ajo nuk po ndërton forcën ideale që do të jetë efektive për të luftuar në të ardhmen. Por, po zgjidh probleme operacionale dhe po përpiqet të vendosë një forcë mjaftueshëm të mirë, sipas standardeve të veta, për të zgjidhur problemet para vetes”, shtoi ai.

“Nuk ka pasur asnjë ‘reformë’ në kuptimin rus të fjalës; logjika e luftës e bën të pamundur”, tha nënkoloneli Juha Kukkola, profesor në Grupin e Kërkimit për Rusinë në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të Finlandës.

Ushtria ruse “është duke mësuar nga dështimet… duke humbur njëkohësisht trupat dhe pajisjet me përvojë të mëparshme, ndërsa mëson të mbijetojë në fazën tjetër të luftës”, tha ai për REL-in.

Mësimet e nxjerra janë “të përshtatshme për nevojat e kësaj lufte, por ndoshta jo edhe për luftën tjetër”, shtoi ai.

Ushtarët rusë qëllojnë me një raketahedhës, BM-21 Grad, gjatë ushtrimeve ushtarake në vitin 2019, tre vjet para pushtimit të Ukrainës.

Mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës

Pas fitores në Gjeorgji, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov, u caktua të mbikëqyrte ndryshime të mëdha në ushtri, përfshirë largimin nga mendësia e vjetër sovjetike.

Ai u përpoq të zvogëlonte madhësinë e përgjithshme të ushtrisë, riorganizoi arsimin ushtarak, i dha përparësi më shumë nënoficerëve si rreshterët dhe u përpoq të kalonte nga divizionet e mëdha e të ngadalta, drejt grupeve taktike të batalioneve më të vogla dhe më të lëvizshme.

Anatoly Serdyukov u shkarkua nga presidenti Vladimir Putin në vitin 2012, mes një skandali korrupsioni. Reformat e tij ishin jopopullore mes shumë drejtuesve të lartë ushtarakë rusë.

U bënë investime të mëdha në tanke të reja, transportues të blinduar të rinj, raketa të reja, për të mos përmendur sistemet e reja të komunikimit, të cilat kishin dështuar në Gjeorgji.

Megjithatë, në vitin 2012 Serdyukov u shkarkua nga Vladimir Putin, i shoqëruar nga një hije skandali. Zëvendësuesi i tij, besnik i kamotshëm i Putinit, Sergei Shoigu, injoroi oficerët veteranë që kërkonin rikthim të plotë të strukturave të mëparshme, por bëri pak për modernizim të mëtejshëm.

“Reformat e Serdyukovit kishin të bënin vërtet me përmirësimin e aftësisë së Rusisë për të luftuar një luftë lokale”, tha Katri Pynnoniemi, profesoreshë në Qendrën Finlandeze për Studime Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Helsinkit.

“Pastaj, rreth vitit 2012, pati një zhvendosje. Theksi u vu te përgatitja për një luftë më të madhe…. Në realitet nuk pati asgjë madhore, por pati këtë perceptim kërcënimi nga regjimi rus që ndryshoi. Kjo i ndali reformat”, shtoi ajo.

Në vitet që pasuan, Kremlini ndërmori një angazhim të madh ushtarak: një operacion ekspedite në Siri. Aty, sipas ekspertëve, fitoi përvojë të vlefshme në gjëra si sulmet të koordinuara ajrore: kur ushtarët në terren koordinohen drejtpërdrejt me pilotët në ajër për të goditur objektiva të caktuara.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, vëzhguesit e jashtëm prisnin që ushtria ruse, më e madhe dhe më e armatosur, të hynte në Kiev brenda pak ditësh. Kjo nuk ndodhi, pjesërisht për shkak të qëndresës ukrainase, por edhe për shkak të operacioneve të dobëta ruse.

Brenda një viti, forcat ukrainase kryen dy kundërofensiva, duke zmbrapsur pozicionet ruse në rajonin jugor të Hersonit dhe në rajonin verilindor të Harkivit.

Ndërkohë, Kremlini ndërroi komandantë, duke u përpjekur ta rimarrë vrullin. Derisa u përfshi në rebelimin e shkurtër të qershorit 2023 nga shefi i mercenarëve të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, gjenerali Sergei Surovikin arriti t’i stabilizonte linjat ruse pjesërisht duke ndërtuar mbrojtje të gjera shumështresore që u njohën si Linjat e Surovikinit.

Komandantët rusë gjithashtu iu kthyen taktikave të vjetra sovjetike, jo të modernizuara: dërgimi i valëve të këmbësorisë për të mbingarkuar mbrojtjet ukrainase. Kjo zakonisht përfshinte burra të trajnuar dobët dhe të armatosur lehtë, ndonjëherë të burgosur, dhe u bë e njohur si një “makinë mishi” për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme.

Së fundmi, oficerët kanë përdorur metoda si dërgimi i burrave të armatosur lehtë që përpiqen të kalojnë me shpejtësi përtej mbrojtjeve ukrainase, duke përdorur motoçikleta ose automjete të tjera, për të lëvizur shpejt – dhe për të shpresuar t’u shmangen dronëve.

SHIKONI EDHE: Shkollat ruse vazhdojnë marshimin drejt militarizimit

Rezultati? Rusia ka pësuar më shumë të vrarë dhe të plagosur sesa në të gjitha luftërat që ka zhvilluar së bashku që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ata kanë humbur pjesën më të madhe të automjeteve të blinduara dhe nuk i vendosin në vijën e frontit në të njëjtën mënyrë apo në të njëjtat numra si më parë”, tha Reynolds për REL-in. “Synojnë sulme këmbësorie për të kapur dhe mbajtur pozicione. Pranojnë humbje shumë të larta. Forcat tokësore, këmbësoria, autoblindat, nuk janë shumë të afta”.

Njësitë në vijën e frontit, tha Massicot, janë gjithashtu të përfshira nga “probleme të përhapura dhe të tmerrshme disiplinore”.

“Kjo është arsyeja pse e kam të vështirë të përdor fjalën reformë për atë që po vjen për ushtrinë ruse, sepse reforma kërkon pranimin e problemeve dhe dëshirën për të bërë diçka për to”, tha ajo. “Dhe mendoj se nuk ka gatishmëri në këtë kohë për të pranuar këto probleme në vijën e frontit”.

Në frontin elektronik

Ndër përmirësimet që ekspertët kanë vënë re janë taktikat e artilerisë ruse dhe aftësia e saj për të përdorur luftën elektronike për të bllokuar dronët ose radarët e avionëve.

Dhe pastaj janë dronët.

SHIKONI EDHE: Dronët me IA do ta revolucionarizojnë luftën në Ukrainë, thotë ish-koloneli amerikan

Si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën, e gjithë lufta është transformuar nga dronët, thanë ekspertët: dronët kamikazë Shahed, dronë të rëndë furnizimi dhe dronë të drejtuar me kabllo me fibër optike. Duke mbetur fillimisht pas në kapacitetet e saj me dronë, Rusia bleu mijëra njësi dhe teknologji nga Irani dhe më pas zhvilloi prodhim vendas.

Njësia Rubicon e Rusisë ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj forcave ukrainase. Një njësi hibride që zhvillon dhe blen teknologji të reja, ndërsa teston taktika të reja dhe lufton përkrah njësive të rregullta, Qendra Rubicon për Teknologji të Avancuara të Paekuipazhuara shihet si nisma më e suksesshme e re që Rusia ka vendosur në përdorim që nga viti 2022.

“Si model, udhëheqja ushtarake ruse e pëlqen shumë”, tha Massicot. “Me një nivel të përshtatshëm burimesh shtetërore ajo ka kaluar nga një organizatë kërkimore në një organizatë operacionale dhe tani po merr më shumë role trajnimi. Kjo është diçka që ata duan ta përsërisin në fusha të tjera”.

SHIKONI EDHE: Tanket me gjemba që po transformojnë mbrojtjen në Ukrainë

Faktori vendimtar për Rusinë është thjesht fakti që është më e madhe, tha Kukkola.

“Në këtë lloj lufte, nuk duhet të jesh ‘më i mirë’ se kundërshtari, mjafton të kesh më shumë burime, njerëzore dhe materiale, dhe kohë – nëse asgjë tjetër – kjo ndryshon situatën strategjike”, tha ai.

Por, Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të filluar zhvillimin e forcave të saj të ardhshme bazuar në atë që ka mësuar në Ukrainë, shtoi Kukkola, sepse po humb shumë njerëz.

“Ushtritë që i mbijetojnë një lufte, ndonjëherë dalin prej saj më të forta dhe ndonjëherë dështojnë plotësisht kur vihen sërish në provë”, tha ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi