Ndërlidhjet

Biserko: Pavarësia e Kosovës ndikoi pozitivisht edhe te serbët


Sonja Biserko
Sonja Biserko

Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi prezantoi një raport për gjendjen në enklavat serbe në Kosovë. Kryetarja e Këshillit, Sonja Biserko, tha se hulumtimi tregon që pavarësia e Kosovës ka ndikuar pozitivisht edhe te serbët.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës i ka kontribuar relaksimit të raporteve ndëretnike, ka vlerësuar Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Kryetarja e këtij Këshilli, Sonja Biserko, tha sot në Prishtinë se një hulumtim i bërë nëpër viset e banuara me shumicë serbe që ka zgjatur shtatë muaj, dëshmon se politika e Beogradit mbetet ajo që ndikon shumë në mosintegrimin e serbëve në jetën institucionale në Kosovë, përderisa vërehet se institucionet e Kosovës kanë përqafuar politikat pro-evropiane për integrimin e komuniteteve.

Biserko thotë se siguria dhe liria e lëvizjes më nuk janë shqetësimet kryesore të komunitetit serb në Kosovë, por se shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me papunësinë dhe gjendjen e rëndë ekonomike. Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vëren se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ndikuar pozitivisht edhe te serbët.

“Pas shpalljes së pavarësisë, sikur erdhi deri te një lehtësim dhe se bashkësia serbe në njëfarë mënyre e pranoi këtë realitet dhe tash pret që gjendja të përmirësohet, marrë parasysh që serbët nëpër enklava vazhdimisht ishin kundër modelit të ndarjes së Kosovës, sepse kështu do të mbeteshin të lënë anash”, thekson Biserko.

Ajo potencoi në vazhdimësi se Beogradi ka luajtur politika të dyfishta, jo vetëm ndaj Kosovës dhe pavarësimit të saj, por edhe ndaj vetë serbëve.

“Serbët nëpër enklava nuk i besojnë shumë Beogradit dhe janë mjaft kritikë, për shkak të favorizimit që Beogradi u bën serbëve që jetojnë në pjesën veriore. Ata flasin hapur për liderë të korruptuar në veri dhe për bashkëpunimin e tyre me Shërbimin Serb të Sigurisë”, thotë Biserko.

Sipas saj, çdo ditë e më tepër vërehet se komuniteti serb, përjashtuar pjesën veriore, do të dëshironte që të integrohej dhe të shohë të ardhmen e vet në Kosovë, por deri më tash, Beogradi shihet si faktori kryesor që ndikon në mosintegrimin e këtij komuniteti.

Po ashtu, edhe gjendja nëpër enklavat serbe ndryshon shumë me pasqyrën që prezantohet në mediet serbe, tha Biserko. Ajo ka kritikuar qasjen e Beogradit edhe në lidhje me kthimin e të zhvendosurve. Biserko tha se Beogradi ka lejuar kthimet vetëm në ato zona ku shpresonte se do të ketë ndarje të Kosovës, si strategjia e vetme e këtij vendi.

Andaj, ajo tha se është shumë me rëndësi që ndikimi i Beogradit të zvogëlohet sa më shumë në Kosovë, në zonat e banuara me serbë, në mënyrë që ata të fillojnë të shohin dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.

Në emër të Këshillit të Helsinkit, Biserko i ka rekomanduar edhe Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare forma se si do të mund të ndikohej në përmirësimin e kushteve të jetesës për serbët, duke i integruar dhe larguar ata nga izolimi nëpër geto.

“Çështja e papunësisë, si problemi kryesor i bashkësisë serbe, e që është edhe problemi kryesor i shqiptarëve, do të mund të fillohej të zgjidhej me projektet e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës, siç është ndërtimi i përbashkët i Termocentralit, me të cilin edhe do të punësoheshin si shqiptarët, ashtu edhe serbët, e po ashtu do të stabilizohej edhe gjendja e furnizimit me rrymë”, thekson Biserko.

Ajo tha se Kosova, si shteti më i ri në Evropë, ka rastin e mirë që t’i kultivojë traditat e veta, marrë parasysh se ky shtet nuk është identifikuar sikurse shtetet tjera të rajonit me shumicën, por është përkufizuar si shtet i të gjithë qytetarëve të saj.
XS
SM
MD
LG