Ndërlidhjet

Vazhdon bllokada në CEFTA


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare
Gjatë këtij viti, Serbia e udhëheq presidencën e radhës në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore - CEFTA. Kosova do ta ketë vështirë ta përmirësojë pozitën e saj në këtë marrëveshje, për shkak të bllokadës së Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, vlerësojnë zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, si dhe ekspertët e ekonomisë.

Sytrime Dërvisholli, zyrtare për CEFTA-n në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se gjasat që kjo ministri të marrë ftesën nga Serbia për pjesëmarrje në CEFTA, janë të pakta.

“Përderisa Serbia është vetë bllokuese e këtij procesi, është iniciatore e këtij bllokimi, atëherë nuk di se çfarë të them. Por, nëse Serbia vjen në atë pozicion që neve të na e dërgojë ftesën, ne do të marrim pjesë, sepse ne jemi palë e Marrëveshjes, pjesë e CEFTA-s”.

“Ajo që mund të them është se Ministria e Tregtisë tashmë ka biseduar për disa iniciativa, për të bërë një program për këtë vit dhe besoj se, brenda një kohe të shkurtër, do të përfundojë ai program dhe do të publikohet”
, shprehet Dërvisholli.

Ndërkaq, Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se pjesëmarrja e Kosovës në CEFTA do të jetë e mundur nëse UNMIK-u, i cili është nënshkrues i CEFTA-s, do t’i koordinojë punët me Qeverinë e Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas tij, do të mund të fitohej përkrahja e sekretarëve të CEFTA-s që Kosova të jetë pjesë e zhvillimeve të debateve në aspektin ekonomik, por edhe të eksportojë mallra në vendet, të cilat i kanë vënë bllokadë.

“Unë mendoj se me qasje të mirëfilltë, të organizuar në mes të UNMIK-ut dhe të Qeverisë, kjo mund të realizohet, sepse mund të gjenden rrugë për pasimin e produkteve tona, në rastin konkret në tregun e Serbisë dhe të Bosnjës. Me të gjitha vendet tjera nuk ka shumë problem në këtë drejtim”.

“Unë mendoj se me një qasje shumë konstruktive dhe të koordinuar mirë në mes të këtyre dy faktorëve tonë, mund të gjendet rruga për të hapur mundësinë që këto produkte të hyjnë edhe në tregun e Serbisë, ose në tregun e Bosnjës
”, thotë Beqaj.

Sipas tij, interesat aktuale të Kosovës janë që të ketë barazim të raporteve tregtare me vendet e rajonit, përmes të njëjtave procedura.

Kjo, thotë Beqaj, do të mundësonte që një pjesë e produkteve që prodhohen në Kosovë, të kenë qasje të barabartë me produktet e vendeve të rajonit. Interesi i Kosovës, sipas tij, është që të jetë pjesë e pandarë e tregut të Evropës juglindore, gjë që do ta bënte më atraktive për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ndryshe, vitin e ardhshëm pritet që Kosova ta marrë udhëheqjen e presidencës së radhës së CEFTA-s.

Zonja Dërvisholli thotë se, pavarësisht vështirësive, me të cilat aktualisht po ballafaqohet Kosova për shkak të bllokadës së Serbisë, institucionet e saj janë të përgatitura për udhëheqjen e presidencës së radhës së CEFTA-s.

“Për këto 3 vjet, Marrëveshja e CEFTA-s i ka përgatitur institucionet kosovare, në këtë rast edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si udhëheqëse të kësaj marrëveshjeje, dhe mund të them me plot bindje se Kosova dhe Ministria e Tregtisë, në këtë rast, ka kuadro të mjaftueshme për të udhëhequr me CEFTA-n në vitin e ardhshëm dhe besoj se Kosova do të jetë udhëheqëse në vitin 2011”, thotë Dërvisholli.

Por, zoti Beqaj shprehet skeptik lidhur me mundësinë e marrjes së udhëheqjes së presidencës së CEFTA-s nga ana e Kosovës.

“Unë mendoj se nëse ne nuk gjejmë formë për të qenë në mënyrë të mirëfilltë pjesë e zhvillimeve dhe kontributeve të CEFTA-s, sigurisht se ka për t’u vënë në pikëpyetje shumë të madhe presidenca e radhës së Kosovës”.

“Rruga më e mirë është që ne, si shtet, ta zyrtarizojmë pozicionin tonë në CEFTA dhe të jemi sa më funksionalë, në mënyrë që pjesën e obligimit tonë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe karshi vendeve fqinje e të rajonit, ta realizojmë dhe të jemi kompetentë në atë fushë
”, thekson Beqaj.

Sidoqoftë, përkundër faktit se Kosova është nënshkruese e CEFTA-s, tash e një vit produkteve të saj vendore u është vënë embargo nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ndërkohë që kjo embargo nuk është arritur të zhbllokohet nga Qeveria e Kosovës.
XS
SM
MD
LG