Ndërlidhjet

Ambasadat (jo) funksionale


Për dy vjet, ambasadat e Kosovës funksionojnë nëpër zyra me qira. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave inkurajojnë Ministrinë e Jashtme që t’i shikojë mundësitë e blerjes së ndërtesave, ku do të vendoseshin shërbimet diplomatike të Kosovës.



Ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike/konsullore të Kosovës nuk kanë arritur ende të jenë plotësisht funksionale.

Sipas njoftimeve nga Ministria e Jashtme, ato nuk mund të ofrojnë shërbime konsullore, përderisa nuk përgatitet infrastruktura e nevojshme ligjore dhe logjistike.

Këto ambasada funksionojnë ende nëpër zyra me qira, pavarësisht se për dy vjet rresht janë ndarë mjetet për blerjen e ndërtesave në ato vende ku mund të bëhet një gjë e tillë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se është në interesin e Kosovës dhe buxhetit të saj, që të bëhen blerjet e ndërtesave në shtete të caktuara, në mënyrë që të mos shpenzohet në pagesën e qirasë.

“Mund të them që ne në buxhetin e Republikës së Kosovës kemi paraparë buxhet për blerjen e ambasadave. Vitin e kaluar, është zotuar një shumë e caktuar, e cila fatkeqësisht nuk është realizuar. Ne kemi bërë bartjen e mjeteve për blerjen e tyre edhe këtë vit. Blerja, gjithsesi që është një nevojë, një domosdoshmëri, pasi që është duke u dhënë një qira e konsiderueshme. Në afat më të gjatë, konsideroj se më mirë do të ishte që t'i blejmë edhe ambasadat, edhe pjesët rezidenciale”, thotë Shala.

Nga Ministria e Jashtme nuk janë dhënë shpjegime në lidhje me çështjen e jofunksionalizimit të plotë të ambasadave dhe shërbimit konsullor. Ndërkaq, nga shoqëria civile shtohen kritikat rreth funksionit të shërbimit diplomatik.

Drejtori Ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, thotë se shërbimi diplomatik si dhe segmentet tjera janë një improvizim, ngase ato nuk kanë arritur të funksionalizohen.

“Funksionaliteti i ambasadave është përcjellë me një mori pengesash, të cilat manifestohen edhe sot e tutje. Shërbimet, të cilat këto ambasada do të duhej t'i ofronin qysh në fillim, në fazën e parë, në një masë të caktuar nuk i ofrojnë ende, pra nuk funksionojnë. Kjo është për të ardhur keq, por është pjesë e një qasjeje improvizuese, të cilën Qeveria e Kosovës i ka dhënë qysh prej fillimit instalimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thekson Hoxha.

Gjendja aktuale e ambasadave dhe shërbimit konsullor, nënvizon Ylli Hoxha, vjen si pasojë e mungesës së përgatitjes së stafit dhe mungesave të tjera që ka Ministria e Punëve të Jashtme. Diplomacia kosovare, thotë ai, është instaluar me vonesë dhe pasojat tashmë janë evidente.

“Për fat të keq, përgatitjet për Ministrinë e Jashtme kanë filluar pas shpalljes së pavarësisë, do të thotë disa muaj më pas kanë filluar përgatitjet. Kjo ka qenë e papranueshme dhe pasojat i shohim sot. Këto pasoja mund të jenë bukur të rënda për funksionalitetin”,
thotë Hoxha.

Deri më tani, Kosova ka hapur 19 ambasada, në të cilat punon një staf me numër minimal në shërbimin diplomatik/konsullor. Edhe ambasadat janë përfshirë në paralajmërimet e kreut të Qeverisë për një proces ndryshimesh, ngjashëm me ato që ndodhën me ministritë në kuadër të një procesi të quajtur riformatizim qeveritar.
XS
SM
MD
LG