Ndërlidhjet

Detyrimet ndaj ligjit


Prishtinë
Prishtinë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të institucioneve kosovare dhe atyre ndërkombëtare thonë se respektimi i këtyre të drejtave nuk është në nivel të kënaqshëm.



Në Kosovë, mosrespektimi i të drejtave të njeriut është pasojë e moszbatimit të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, thonë përfaqësues të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, që merren me mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Në një komunikatë për media, shefi i misionit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, tha se ligjet në fuqi i obligojnë institucionet e Kosovës që t’iu garantojnë të drejta themelore të gjithë qytetarëve kosovarë.
Kryesit e shkeljeve duhet menjëherë të dalin para drejtësisë.

“Shkeljet e të drejtave të njeriut e minojnë strukturën e sundimit të ligjit të secilës shoqëri. Viktimat, të cilave iu shkelen të drejtat njerëzore, kanë nevojë për mbrojtje dhe ndihmë, ndërsa kryesit e shkeljeve duhet menjëherë të dalin para drejtësisë”.

“EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë gjyqësorin dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtje maksimale për viktimat e krimit dhe ndjekje efikase penale për autorët e krimeve”,
thuhet në komunikatën për media të shefit të EULEX-it, Ksavier de Marnak.

Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Osnat Lubrani, tha se autoritetet përgjegjëse janë angazhuar në përmirësimin e të drejtave të njeriut, por, sipas saj, mbetet ende punë për t’u bërë. Lubrani numëroi shumë njerëz që kanë kontribuar në fushën e të drejtave në Kosovë.

“Kosova njeh shumë nga këta mbrojtës të të drejtave të njeriut në historinë e saj. Këta ishin mësuesit, mjekët, akademikët, artistët, gazetarët, shërbyesit civilë, që kanë luftuar kundër diskriminimit në jetën publike dhe brenda komunitetit të tyre”.

“Falë punës së tyre inspiruese, Kosova sot ka bërë përparim në shumë fusha të të drejtave të njeriut”
, tha Lubrani.

Me gjithë përparimet e shënuara, në Kosovë ka njerëz që vuajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga shkelja e të drejtave të tyre, tha Paul Miller, shef i zyrës së Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Ai pranoi se përputhja e legjislacionit kosovar me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut është pozitive, por, megjithatë, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit në praktik të atyre ligjeve.
Le të ngrihen zërat kur shohim se po shkelet Ligji kundër diskriminimit ose Ligji për barazi gjinore...

“Le të ngrihen zërat kur shohim se po shkelet Ligji kundër diskriminimit ose Ligji për barazi gjinore; le të kërkojmë veprimin e autoriteteve ose kompanive private; le t’i dërgojmë rastet në gjykata kur nuk veprohet lidhur me to; le ta ndryshojmë mënyrën e sjelljes së njerëzve dhe le të mendojmë për të tjerët”, u shpreh Miller.

Ndërkaq, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, tha se pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale për krijimin dhe zbatimin e infrastrukturës ligjore.

“Të drejtat e njeriut janë të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës, si shtet demokratik - ku të gjithë qytetarët e saj do të trajtohen në mënyrë të barabartë, do të jetojnë me dinjitet dhe do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë sipas standardeve evropiane e ndërkombëtare”, tha Hajredini.

Organizata të ndryshme joqeveritare, që merren me të drejtat e njeriut, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për, siç thuhet, dështimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
XS
SM
MD
LG