Ndërlidhjet

Inflacioni godet Kosovën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ngritja e çmimeve të artikujve, sidomos atyre ushqimorë, në Kosovë, është shkaktuar nga inflacioni i importuar, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ekspertët e çështjeve ekonomike. Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se rritja e çmimeve është shkaktuar nga rritja e konsumit dhe mungesës së mallrave, të cilat kryesisht importohen. Ndërkaq, Alaban Hashani, nga Instituti Riinvest, vlerëson se në rritjen e çmimeve në mënyrë indirekte ka ndikuar edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.


Ngritja e çmimeve të një numri të mallrave, e sidomos atyre esenciale në Kosovë, tregon se vendi tashmë po i nënshtrohet një vale të inflacionit, e cila pritet të ketë efekte edhe më të mëdha muajve të ardhshëm, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se ngritja e çmimeve që është shënuar kohët e fundit, reflekton situatën e tregut rajonal, duke pasur parasysh edhe faktin që Kosova është më tepër një vend që importon mallra.
Janë bërë disa rritje të çmimeve në tregun e Kosovës dhe rritja e tashme shpjegohet, për arsye se është rritur konsumi.

“Janë bërë disa rritje të çmimeve në tregun e Kosovës dhe rritja e tashme shpjegohet, për arsye se është rritur konsumi. Është mungesë e mallrave në tërë globin, për shkak të të reshurave të ndryshme. Është mungesë e produkteve dhe rritje e kërkesës në glob. Ne varemi nga importi dhe importi është ai që e drejton tregun. Përderisa ne nuk kemi prodhimtari vendore, ne do të jemi pak të rëndësishëm në stabilizimin apo rritjen e çmimeve në Kosovë
”, thotë Shahini.

Edhe Alban Hashani, ekspert për çështje të ekonomisë në Institutin Riinvest, thotë se Kosova është një vend që importon shumë mallra ushqimore, deri në 90 për qind të nevojave të konsumit.

Sipas tij, ngritja e çmimeve në vendet e ndryshme të botës, si rezultat i ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës, ka reflektuar edhe në Kosovë.

Megjithatë, si një nga shkaktarët e ngritjes së çmimeve, ai e sheh edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për sektorë të caktuar.
Kryesisht, rritja e çmimeve në Kosovë, ka ardhur si rezultat i importimit të këtij inflacioni, do të thotë, si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave të importit.

“Kryesisht, rritja e çmimeve në Kosovë, ka ardhur si rezultat i importimit të këtij inflacioni, do të thotë, si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave të importit”.

“E dyta, që ka mundur të ndikojë, themi, në mënyrë indirekte në rritjen e këtyre çmimeve, kanë qenë edhe pritjet e ofertuesve në Kosovë se konsumatorët dhe qytetarët do të kenë fuqi më të madhe blerëse, si rezultat i rritjes së pagave. Kështu që, këto dyja, në kombinim, kanë ndikuar që të ketë një rritje të ndjeshme e çmimeve, në disa artikuj, mallra të konsumit”
, shprehet Hashani.

Por, zoti Shahini vlerëson se ofertuesit në tregun e Kosovës nuk i kanë ngritur çmimet shkaku i premtimeve të Qeverisë për ngritje të pagave.

“Kjo nuk mund të ketë ndonjë ndikim të madh, sepse këto paga nuk janë rritur, ngaqë është rritur buxheti i Kosovës më tepër se sa ka qenë i planifikuar. Këto para, ashtu-kështu kanë qenë në tregun e Kosovës, në forma të investimeve të ndryshme”.

“Prandaj, sikur të ndodhë që të rritet buxheti i konsoliduar i Kosovës për 100 milionë, ashtu siç edhe janë rritur pagat, kjo do të kishte pasur ndonjë indikacion se kanë mundur të rriten çmimet. Por, çmimet nuk rriten në bazë të hyrave të pagave, por në bazë të kërkesave dhe në bazë të konsumit”
, vlerëson Shahini.

Ndryshe, Hashani thotë se, ngritja aktuale e çmimeve po e reflekton inflacionin në Kosovë, i cili, sipas tij, pritet të jetë edhe më i madh.

“Ngritja e çmimeve të përgjithshme ose e shportës së konsumit të konsumatorëve përfaqëson inflacionin. Ne kemi inflacion, por kryesisht është i importuar. Mirëpo, për dallim, në disa faza të kaluara, kur kemi pasur kryesisht rritje të çmimit të derivateve, nëse do t’i hiqnim derivatet prej shportës së konsumit, çmimet tjera kanë qenë gati se konstante”.

“Kësaj radhe kemi edhe rritje të çmimeve të mallrave tjera esenciale, siç është buka, që ka një peshë bukur të madhe në shportën e konsumit të kosovarëve. Rrjedhimisht, kemi një inflacion bukur të madh ose pritet që të kemi inflacion të tillë, atëherë kur të fillojë të regjistrohet nga institucionet statistikore”
, shpjegon Hashani.

Sidoqoftë, Hashani vlerëson se ngritja e çmimeve do të vazhdojë të thellojë përkeqësimin e gjendjes sociale në Kosovë, e cila, sipas tij, edhe tash është e rënduar.

Lexoni edhe këto:
Shtohen kërkesat për asistencë sociale
Përqindje e ulët e GDP-së
Kosova - vendi më i shtrenjtë në rajon
XS
SM
MD
LG