Ndërlidhjet

Mjetet nga privatizimi: Investim për projekte kapitale


Ilustrim
Ilustrim
Rreth 600 milionë euro është shuma e mbledhur nga procesi i privatizimit dhe nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përderisa njohës të çështjeve ekonomike vazhdimisht kërkojnë që ky fond të kthehet në funksion të tregut kosovar.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, thotë se në ditët vijuese kjo agjenci në buxhetin e Kosovës do të bartë rreth 30 milionë euro, mjete këto të cilat janë alokuar nga procesi i privatizimit dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore.
Tash për tash do të barten rreth 30 milionë euro, mjete të mbetura nga procesi i likuidimit të 65 ndërmarrje shoqërore...


“Tash për tash do të barten rreth 30 milionë euro, mjete të mbetura nga procesi i likuidimit të 65 ndërmarrje shoqërore, derisa për ndërmarrjet e tjera të përfshira në proces të likuidimit, mjetet që do të mbesin, do të barten në periudhat e ardhshme. Është me rëndësi të thuhet se janë 600 ndërmarrje shoqërore që do t’i nënshtrohen procesit të likuidimit”, bën të ditur Kaloshi.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se kthimi i këtyre mjeteve në buxhetin e Kosovës, është shumë i vonuar. Sipas tyre, kthimi i fondit të privatizimit në tregun kosovar do të ndikojë në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Milazim Abazi thekson se autoritetet kompetente Fondin e Mirëbesimit, do të duhej ta shfrytëzonin për projekte kapitale, konkretisht tashmë për autostradën Prishtinë-Shkup.

“Unë vlerësoj se kaherë është dashur që këto mjete të kthehen në Kosovë. Në mos të gjitha, pjesa dërmuese e tyre dhe të investohet në projekte kapitale - pse jo në Rrugën e Kombit, në autostradën Prishtinë - Shkup, në mënyrë që të kemi një infrastrukturë shumë më të zhvilluar me këto para. Nëse nuk mund të hyjnë në buxhet të Kosovës, atëherë mund të hyjnë në këto projekte”, thekson Abazi.

Abazi, madje, vlerëson se derisa mjetet e privatizimit mbahen të ngrira në Bankën Qendrore të Kosovës dhe në banka të ndryshme të Bashkimit Evropian, investitorët e huaj hezitojnë që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.
Sigurisht që mbajtja e këtyre mjeteve të ngrira në banka të ndryshme të Evropës, dërgon një sinjal të keq për investitorët e huaj...


“Sigurisht që mbajtja e këtyre mjeteve të ngrira në banka të ndryshme të Evropës, dërgon një sinjal të keq për investitorët e huaj, ngase ata logjikojnë se nëse Qeveria apo institucionet e Kosovës nuk kanë besim të investojnë paratë e privatizimit në vendin e tyre, atëherë si do të kenë besim investitorët e huaj që paratë e tyre t’i investojnë në Kosovë”, vlerëson Abazi.

Ndryshe, bartja e mjeteve nga Fondi i Mirëbesimit në buxhetin e Qeverisë së Kosovës bëhet duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
XS
SM
MD
LG