Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza, pasojë e fshehjes së problemeve


Shkup, ndërtesa e Qeverisë...
Shkup, ndërtesa e Qeverisë...
Kriza politike në Maqedoni është pasojë e moszgjidhjes me kohë, apo e fshehjes së problemeve reale, me të cilat përballet vendi në të gjitha segmentet e tij.

Kështu vlerëson Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, duke komentuar raportet e acaruara ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, lidhur me propozim-ligjin për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit, që kundërshtohet nga partitë shqiptare, për shkak të përjashtimit nga përfitimet të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pastaj problemet në arsim lidhur me paralelet shqipe, ato për përdorimin e simboleve kombëtare, e kështu me radhë.

“Duke mos mundur që të arrijnë suksese në nivel të shtetit për shumë çështje të brendshme, por edhe të jashtme, partitë e koalicionit konsideroj se disa probleme qëllimisht i nxisin për t’i fshehur të gjitha këto dështime. Këtu do të përmend çështjet që kanë të bëjnë me integrimin, siç janë dështimet në samitin e Çikagos, pastaj mosmarrja e raportit pozitiv sa i përket nisjes së negociatave për integrim në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe këto të fundit që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike”, thotë Dimovsksi.

Ai u bënë thirrje partive politike që të moskeqpërdorin disa çështje në llogari të raporteve ndëretnike, të cilat, megjithëse duken të mira për momentin, megjithatë mbeten ende të ndjeshme.

“Ne, për momentin, kemi raporte të mira ndëretnike, por shumë të brishta. Pikërisht për shkak të kësaj, partitë nuk duhet t’i keqpërdorin marrëdhëniet ndëretnike për interesa tjera, pasi janë shumë të ndjeshme, edhe pse unë jam thellë i bindur se ato nuk do të përkeqësohen edhe më shumë”.

“Bëhet fjalë për provokime të ulëta dhe populli më nuk do të bjerë pre e këtyre zhvillimeve, pasi ai është i vetëdijshëm se bëhet fjalë për pazar ndërmjet partnerëve të koalicionit, të cilët në pamundësi të bëjnë diçka të mirë, shkaktojnë probleme të këtilla”, thekson Dimovski.

Ndërkohë, edhe Aljadin Demiri, njohës i zhvillimeve politike, thotë se kriza e krijuar ndërmjet partnerëve të koalicionit, e cila së fundi është zhvendosur edhe në institucionin ligjvënës, është krizë e blerjes së kohës dhe e mungesës së gatishmërisë për zgjidhjen e problemeve reale.

“Askush nuk është i gatshëm t’i zgjidhë problemet reale në Maqedoni, por sillen si politikanë, si parti të mandatit, blejnë kohë dhe i akumulojnë problemet. Kështu është problemi i marrëdhënieve ndëretnike, kështu është raporti apo problemi i zgjidhjes së çështjes së emrit, kështu është problemi i rënies së investimeve, kështu është problemi i thellimit të varfërisë në Maqedoni. Kjo, përfundimisht dëshmon se këto parti nuk kanë kapacitet për ta udhëhequr shtetin, por kanë kapacitet vetëm për të përfituar nga një mandat në mandatin tjetër”, shprehet Demiri.

Ai konsideron se situata e këtillë është edhe pasojë e, siç thotë Demiri, humbjes së substancës politike dhe shndërrimit të partive në ente për punësim, nëpërmjet të cilave kërcënojnë popullin me punësime apo përjashtime nga puna, duke lënë anash çështjet vitale që kërkojnë zgjidhje.

Demiri thotë se nëse vazhdohet kështu, popullata mund të humbë durimin nga veprimi i këtillë i papranueshëm i partive politike.

“Kësaj radhe mendoj se e kanë tepruar dhe problemi, me të cilin janë duke luajtur, ai marrëdhënieve ndëretnike, siç është ligji për forcat maqedonase të sigurimit dhe proceset që do të vijojnë, mund të dalin nga kontrolli për arsye se durimi i popullit është nga fundi”, përfundon Demiri.
XS
SM
MD
LG