Ndërlidhjet

Efektet e preferencave tregtare të BE-së


Ilustrim
Ilustrim
Rikthimi i zbatimit të preferencave tregtare që nga fillimi i vitit 2012, ka pasur efekt pozitiv te kompanitë prodhuese në Kosovë, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, afaristë, por edhe përfaqësues të ekzekutivit.

Masat preferenciale i ka vendosur Bashkimi Evropian për gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, nënkupton që prodhuesit kosovarë produktet e veta mund t’i eksportojnë në vendet e BE-së, pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Ndryshe, më 31 dhjetor 2010, kishte përfunduar regjimi i këtyre masave, ku gjatë kësaj periudhe, humbjet e bizneseve private kishin qenë të mëdha, por u rikthyen në fillim të vitit 2012.

Që nga kjo periudhë, disa kompani prodhuese kanë eksportuar produktet e tyre në tregjet evropiane.

Një ndër to, është kompania “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve natyrale “Dona” dhe “EKS”.

Pronari i kësaj fabrike, Bashkim Osmani, tregon se që nga rikthimi i këtyre masave nuk ka pasur ndonjë problem, dhe që produktet i eksporton në shumë vende të rajonit, por edhe të Evropës.

Ai thotë se vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, eksporton mbi 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm.

“Eksportojmë në Zvicër, Suedi, Norvegji dhe Gjermani. Dhe, që nga rikthimi i preferencave të Bashkimit Evropian, nuk kemi pasur asnjë telashe. Eksporti bëhet i zakonshëm, si çdo herë dhe nuk kemi problem”, thotë Osmani.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se zbatimi i preferencave tregtare ka shënuar rezultate, por jo në nivelin e kënaqshëm.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, shprehet se bllokimi i eksportit kosovar në vitin 2011 nga Bashkimi Evropian, ku janë aplikuan preferencat tregtare, ka shkaktuar dëme të theksuara për bizneset kosovare, për shkak se prodhuesit vendor e kanë humbur tregun evropian.

“Vështirë po e marrin këtë treg, sepse për rikthim të tregut të humbur, jo me fajin e bizneseve, është një investim i madh, dhe për këtë investim të madh që duhet bërë, bizneseve kosovare u mungon mbështetja financiare, fondet e ndryshme dhe shumë vështirë po kthehen në BE. Megjithatë, ka rezultate të vogla, po jo të kënaqshme”, shprehet Shahini.

Edhe zyrtarë të Qeverisë theksojnë se preferencat tregtare janë duke u zbatuar. Ata u bëjnë thirrje të gjitha kompanive eksportuese, që në rast të paraqitjes së ndonjë problemi, të ankohen tek organet kompetente.

Arta Istrefi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se që nga rikthimi i këtyre masave, nuk është shënuar ndonjë problem eventual.

“Ne gjithmonë kemi bërë thirrje për të gjitha bizneset që vlerësojnë se iu bëhet e padrejtë për një çështje të caktuar, që ndërlidhet me ministrinë tonë, të vijnë dhe të ankohen me dokumentacionin e paraqitur qoftë në Departamentin e Tregtisë apo edhe vetë në kabinetin e ministres”, shprehet Istrefi.

Preferencat tregtare mbështesin integrimin ekonomik në Bashkimin Evropian dhe çojnë përpara stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik të tërë rajonit.

Gjithashtu, me këto masa rregullohet e drejta për qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së, për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga Kosova, deri në fund të vitit 2015.
XS
SM
MD
LG