Ndërlidhjet

Harta sociale - konstante


Ilustrim
Ilustrim
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se afër 30 për qind e popullsisë së përgjithshme jeton në varfëri, kurse mbi 10 për qind në kufirin e varfërisë së skajshme.

Po sipas këtij raporti, të quajtur “Varfëria në konsum në Kosovë në vitin 2011”, thuhet se kjo kategori jeton me 1.72 euro në ditë, respektivisht 1.20 euro në ditë.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike, theksojnë se përveç deklaratave retorike për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, respektivisht zbutje të varfërisë, autoritet kompetente nuk kanë krijuar ndonjë strategji të mirëfilltë për përmirësimin e gjendjes sociale.

Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, e quan shqetësuese situatën sociale në vend dhe ky, sipas Limanit, është prodhim i moszhvillimit ekonomik.

“Pa zhvillim ekonomik, nuk mund të ngrihet standardi jetësor i popullsisë. Pjesa dërmuese e popullsisë gjithkund në botë, pra edhe në Kosovë, si burim kryesorë e ka pagën, ndërsa te ne, rreth 50 për qind e popullsisë së përgjithshme është e papunë”, thotë Limani.

Sidoqoftë, edhe në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se në vitin 2011, shkalla më e ulët e varfërisë ka qenë tek ekonomitë familjare që varen kryesisht nga pagat e sektorit publik, nga biznesi privat ( të vetëpunësuarit) si dhe nga pagat e sektorit privat.

Edhe Ibrahim Rexhepi, nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS”, konsideron se shifrat e varfërisë janë të larta, por më shqetësues, sipas tij, mbetet fakti, se viteve të fundit shifrat kanë mbetur konstante.

“Shqetësues mbetet fakti se këto shifra mbeten konstante, nuk ka lëvizje poshtë apo lart. Pasi, ne gjithmonë kemi folur për një zhvillim ekonomik, për një ritëm, për një dinamikë të investimeve, ndërsa ajo nuk ka reflektuar në ndryshimin e hartës sociale të Kosovës. Ky është një fenomen që unë e kisha zbërthyer", shprehet Rexhepi.

Në raport thuhet se duke krahasuar të dhënat e varfërisë për tri vitet e fundit, rezulton se varfëria është zvogëluar për 5 pikë të përqindjes prej vitit 2009 në vitin 2010 dhe është rritur në masë të vogël nga viti 2010 në vitin 2011 për 0.5 pikë të përqindjes.

Musa Limani
Musa Limani
Megjithatë, Musa Limani, nuk shprehet optimist se Qeveria aktuale mund të gjejë forma për uljen e shkallës së varfërisë.

“Për ta bërë një gjë të tillë, normalisht se duhet ndryshime rrënjësore, duhet të bëhen reforma ekonomike, të krijohet një strategji, dhe mbi të gjitha në institucionet e larta duhet të vijnë ekspertë, të cilët dinë dhe mund të udhëheqin ekonominë e Kosovës".

"Do të thotë, pa koncept dhe pa politikë zhvillimore ekonomike, e cila i mungon Qeverisë së Kosovës, nuk priten ditë të mira. Gjithnjë mendoj se do të shtohet problemi social dhe do të rritet edhe më shumë shkalla e varfërisë”
, konsideron Limani.

Shkalla e varfërisë, sipas hulumtimit, është e fokusuar më tepër në viset rurale, në familjet më me shumë anëtarë dhe te personat me nivel të ulët të arsimimit.
XS
SM
MD
LG