Ndërlidhjet

Me shumë polemika, Ligji për amnistinë në seancën e së enjtes


Projektligji për amnistinë është rikthyer në Kuvend dhe pritet që të vihet për shqyrtim dhe miratim eventual në seancën e të enjtes më 11 korrik.

Pas dështimit të miratimit të tij javën e kaluar, qeveria pati hequr nga ky projektligj nenin tre, duke e reduktuar numrin e veprave që parashihet të falen.

Tash për tash, në Kuvend ky ligj po mbështetet nga shumica e grupeve parlamentare, përveç Vetëvendosjes dhe disa deputetëve që paraqesin pikëpamjet e tyre në forma individuale.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka kërkuar që qeveria ta qartësojë saktë se për kë po miratohet ky ligj, në mënyrë që të mos miratohet shpejt e shpejt pa sqarimet e duhura.

Kërkesa ime do të ishte që të thuhet saktë se pse po bëhet dhe kujt po i kushtohet më tepër ky ligj dhe të mos shkojë si një ligj që duhet për amnistinë e përgjithshme. Unë mendoj që këtu ka dallime, megjithatë janë seancat e Kuvendit ato që vendosin për të shkuar më tej ose për të kërkuar plotësime dhe rishikime të reja”, ka thënë Krasniqi.

Si një nga ligjet që buron nga Marrëveshja Kosovë - Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mendon se Ligji për amnisti do të ketë efekte pozitive për fillimin e integrimit të serbëve të veriut.

“Personalisht mund të deklaroj se është në dobi të procesit edhe nëse nuk e bëjmë zgjidhjen përfundimtare, por do të ndihmoj në përfundimin e suksesshëm të procesit dhe të sigurisë së tërësisë territoriale dhe sovranitetit të vendit”, është shprehur Grabovci.

Me disa vërejtje, Ligji për amnisti po mbështet edhe nga LDK-ja dhe AAK-ja, si dy parti opozitare. Kurse, Vetëvendosje mbetet kategorike kundër.

Ndërkohë Projektligji për amnisti, përkundër disa ndryshimeve që pësoi gjatë procedurës së ridraftimit nga qeveria për në kuvend, nuk po mbështetet as nga një pjesë e shoqërisë civile.

Përderisa një grup qytetarësh po qëndron në grevë para dyerve të Kuvendit që nga e premtja, më 5 korrik, të hënën përfaqësues të shoqërisë civile kanë nisur nënshkrimin e një peticioni kundër miratimit të këtij ligji me përmbajtjen aktuale.

Inicuar nga instituti KIPRED, nënshkrues të peticionit ishin jo vetëm qytetarët, por edhe ish-zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, botuesja e gazetës Koha Ditore, Flaka Surroi e personalitete tjera. Peticioni po nënshkruhet nëpër disa qytete të Kosovës.

Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it ka thënë me këtë rast se ky ligj me përmbajtjen aktuale synon amnistimin e krimit.

Në vend të përmbajtjes në të cilën është prezantuar, Deda u ka bërë thirrje qeverisë dhe kuvendit që të formojnë një ekip ekspertësh, duke përfshi edhe shoqërinë civile, në mënyrë që deri në fund të muajit të hartohet një draft shumë më i mirë i këtij ligji.

“Përkushtimi i njerëzve në qeveri dhe kuvend për ta amnistuar vetveten është shumë i lartë. Por ne duhet të tregojmë përkushtimin e qytetarëve që të mos lejojmë që vendi ynë të bëhet vend i kriminelëve, vend i hajnisë, vend i keqpërdoruesve të cilët në vend që të merren gjykatat me ta, ata duan ta lirojnë vetveten”, ka thënë Deda.

Ndryshe, Projektligji për Amnistinë pritet të shqyrtohet dhe nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme edhe të miratohet me procedura të shpejtuara të enjten.

Ky ligj shihet si i domosdoshëm për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes me Beogradin, pasi që përmes tij do të amnistohen edhe strukturat deri tani ilegale të sigurisë në veri të cilat më pas do të fillonin të integroheshin në strukturat e Kosovës.

Por, problemi të cilin shoqëria civile dhe disa deputetëve e kanë ngritur, ka të bëjë me zgjerimin e numrit të veprave që mund të falen me këtë ligj, çka sipas tyre, janë paraparë për të falur edhe zyrtarë në funksione publike në kuadër të institucioneve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG