Ndërlidhjet

GAP: Themelimi i komunave të reja, pa kritere ligjore


Republika e Kosovës
Republika e Kosovës
Nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për krijimin e komunave të reja, ndërkohë që krijimi eventual i tyre do të ndikonte uljen e përgjithshme të buxhetit të të gjitha komunave të Kosovës, e sidomos atyre nga territori i së cilave synohet krijimi i komunave të reja.

Këto janë përfundimet, të cilat i nxjerr analiza e Institutit për hulumtime të avancuara-GAP, e titulluar “Themelimi i komunave të reja në Kosovë – Implikimet dhe vetë-qëndrueshmëria financiare”, e cila është prezantuar të mërkurën, pas një hulumtimi tremujor.

Hulumtimi i Institutit “GAP” ka nisur pasi që 11 lokalitete kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Këto lokalitete janë: Gjonaj, Rugova, Hogoshti, Janjeva, Llapjasi (ish-Kërpimehi), Komorani, Krusha e Madhe, Orllani, Pozhorani, Reçani dhe Zhegra.

Visar Rushiti, hulumtues në Institutin GAP dhe autor i analizës, ka shpjeguar disa nga implikimet që mund t’i prodhojë themelimi eventual i 11 komunave të reja.

Sipas tij, analiza është bazuar në Nenin e 11 të Ligjit për kufijtë administrativë dhe kriteret e këtij ligji, të cilat kritere, siç ka thënë Rushiti, nuk janë përmbushur nga lokalitetet që kanë bërë kërkesë për themelimin e komunave.

“Te kriteri i parë, që është harta e territorit, vetëm Llapjasi dhe Komorani i kanë paraqitur hartat e territorit. Sa i përket arsyetimit për nevojën e krijimit të komunës, vetëm Hogoshti, Zhegra dhe Pozhorani i kanë paraqitur ato. Ndërsa, mbi 90 për qind të tjera nuk e kanë bërë këtë dhe vetëm një përqindje e vogël pjesërisht janë përpjekur që t’i paraqesin disa arsyeshmëri për themelimin e komunës së re apo që t’i përcjellin kriteret sipas ligjit”, ka thënë Rushiti.

Rushiti ka shtuar se themelimi i komunave të reja do të ndikonte negativisht në grantin qeveritar:

“Prandaj, vetë rritja e numrit të komunave ndikon në zvogëlimin e granteve komunale për të gjitha komunat në përgjithësi, e më së shumti i prek ato komuna nga të cilat shkëputen këto lokalitete. Dy komunat aktuale që më së shumti do të prekeshin, që do të ndikoheshin nga kjo, janë: Drenasi, për shkak të shkëputjes së Komoranit – një sipërfaqe e madhe e territorit – dhe Vitia, për shkak të shkëputjes së Pozhoranit nga ajo”.

Agron Demi, drejtor i Institutit GAP, ka theksuar se krijimi eventual i komunave të reja do ta rrisë numrin e shërbyesve civil.

“Në rastin se shkohet në skenarin më ekstrem dhe krijohen 11 komuna të reja në bazë të 11 kërkesave, numri i shërbyesve civil do të rritej për 605. Kjo do të krijonte një bazë buxhetore prej 2. 9 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë për paga. Në pamundësi për t’u rritur buxheti për komuna, do të sakrifikohen investimet kapitale dhe mbështetjet, ku do të jenë për 2.9 milionë euro më pak investime kapitale”, është shprehur Demi.

Ai, gjithashtu, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për krijimin e dy komunave, në rajonin e Hasit dhe të Zhegrës.

“Vendimin e Qeverisë për krijimin e dy komunave në rajonin e Hasit dhe atë të Zhegrës (në komunën e Gjilanit), janë bërë pa pasur ndonjë analizë paraprake se cila është arsyeshmëria, cili do të jetë ndikimi. Këto po bëhen më shumë si një fushatë politike para zgjedhjeve lokale të vitit 2013, se sa që kanë ndonjë bazë të vlerësueshme nëse vërtet nevojitet të krijohen këto komuna”, ka theksuar Demi.

Demi ka shtuar se megjithatë janë tri arsyet kryesore, të cilat i shtyjnë lokalitetet e caktuara që të kërkojnë të bëhen komuna.

Ai ka thënë se disa lokalitete kanë qenë më parë komuna dhe dëshirojnë ta kthejnë statusin e tyre. Arsyeja e dytë, sipas tij, është se komunat aktuale po i diskriminojnë këto lokalitete sa u përket investimeve dhe arsyeja e tretë është largësia prej qendrës për t’i kryer shërbimet administrative.

Ndryshe, Instituti GAP ka dhënë edhe një numër rekomandimesh. Sipas këtij instituti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të shpallë zgjedhje në komunat e krijuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës pas muajit maj 2013 edhe nëse këto vendime marrin pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, instituti i rekomandon ekzekutivit të vendit që të mos vazhdojë me formimin e komunave të reja. Instituti GAP i rekomandon Kuvendit të Kosovës, që të mos i legjitimojë vendimet e Qeverisë për krijimin e komunave të reja, nëse kërkesat e Qeverisë nuk përmbajnë edhe studimin e fizibilitetit për to.

Po ashtu, sipas Institutit GAP, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duhet të fillojë përgatitjet në ndryshimin dhe plotësimin e bazës ligjore për kriteret dhe procedurat e krijimit të komunave. Dhe, siç thuhet, asnjë komunë e re nuk duhet të fillojë së funksionuari me kompetenca të plota, pa e kaluar një periudhë të caktuar të funksionimit si pilot-njësi komunale.
XS
SM
MD
LG