Ndërlidhjet

Kuvendi me rezolutë rekomandon përmbylljen e mandatit të EULEX-it


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në lidhje me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudhën e tranzicionit.

Rezoluta nxjerr disa rekomandime, sipas të cilave Qeveria e Kosovës autorizohet të përgatisë planin e vet tranzicional deri më 1 shtator për t’i marrë përgjegjësitë nga misioni i EULEX-it, nga qershori i vitit 2014, kur këtij misioni, sipas vendimeve të fundit të BE-së, i skadon mandati.

Ndonëse Bashkimi Evropian e ka lënë të hapur mundësinë që misionit të EULEX-it t‘i vazhdohet mandati edhe pas vitit 2014, Rezoluta e Kuvendit parasheh fundin e mandatit të tij pas pakënaqësive të shumta me rolin që ky mision po luan në trajtimin, hetimin dhe gjykimin e rasteve të cilësuara si krime lufte.

Iniciuesi i debatit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kurtan Kajtazi, numëroi disa nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë nga ana e Serbisë, përfshirë edhe dëbimin e afër 1 milion banorëve nga shtëpitë e tyre për në vendet tjera.

Ai tha se për këto krime askush nuk mori dënimin meritor. Kurse, u vlerësua si paradoksale që nëpër procese gjyqësore për krime lufte po mbahen udhëheqësit e UÇK-së.

Kërkohet nga Qeveria e Kosovës që deri më 1 shtator 2013 të sjellë në Kuvend planin tranzicional drejt përfundimit të mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2014. Kërkohet nga Qeveria të propozojë planin për ngritjen dhe plotësimin e strukturave të reja që do t’i zëvendësojnë strukturat e EULEX-it. Kërkohet nga Qeveria që të propozojë amendamentimin e ligjeve që lidhen me kompetencat e EULEX-it”, lexoi disa nga rekomandimet e Rezolutës, deputeti Kajtazi.

Debati i së enjtes u bojkotua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se iniciuesi i debatit, në këtë rast Partia Demokratike, ka ndryshuar tekstin e rekomandimeve, kështu që edhe ishte marrë vendimi për ta bojkotuar këtë debat.

Megjithatë, deputetët vazhduan seancën edhe pa LDK-në, duke e kritikuar mjaft ashpër punën e misionit të EULEX-it.

Duke parë gatishmërinë në rritje të deputetëve për të diskutuar marrjen e mandatit që ka EULEX-i në Kosovë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se EULEX-i është vendosur në Kosovë me marrëveshje dhe njësoj do të veprohet edhe në fazën e largimit të tij.

“EULEX-i në Kosovë ka ardhur me marrëveshje me ne dhe se EULEX-i nga Kosova duhet të shkojë në marrëveshje me ne. Kjo i bie që as nuk do të duhet që ata njëanshëm të marrin vendime që të na befasojnë neve, por e njëjta duhet të jetë edhe me ne - që të mos i befasojmë ata”, u shpreh Kuçi.

Kjo ishte një nga rezolutat e rralla që u mbështet njëkohësisht nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga fillimi i mandatit ishte kundër pushtetit ekzekutiv që i është dhënë misionit të BE-së në Kosovë.

Lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti, tha se EULEX-i nuk e njeh luftën në Kosovë, të cilën e konsideron si konflikt, kurse rastet e caktuara po i cilëson si krime lufte.

“Nuk njihet që pati luftë në Kosovë kundër Serbisë, mirëpo thuhet që kishte krime të luftës. Pra, paradoksalisht lufta na pranohet vetëm në kuadër të krimeve të luftës”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i konsideroi si absurde akuzat e disa deputetëve në adresë të EULEX-it për dështimin e këtij misioni në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai tha se këto krime, është dashur t’i luftojnë organet kompetente të Kosovës.

Krejt çka dëgjova këtu është duhet luftuar korrupsionin, krimet e luftës e të tjera, por kush i ka ndalur prokurorët tanë që ta bëjnë një gjë të tillë?”, shtroi çështjen Gjini.

Debati dhe rezoluta e së enjtes e Kuvendit, pasoi arrestimet e disa udhëheqësve të UÇK-së, ndër ta edhe të ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi, nga ana e misionit të BE-së për sundim të ligjit nën akuzat për krime lufte. Njëherësh, ky mision po vazhdon një proces të tillë gjyqësor edhe ndaj deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë me ftesë të institucioneve të Kosovës, të cilat janë pajtuar që këtij misioni t’i japin kompetenca ekzekutive edhe pas fazës së përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Në bazë të vendimeve të BE-së, EULEX-i ka mandat në Kosovë deri në mesin e qershorit të vitit 2014, por me mundësi vazhdimi.
XS
SM
MD
LG