Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave dhe fushata zgjedhore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nga ministrat dhe të gjithë akterët e përfshirë, që të mos i lënë angazhimet në procesin e liberalizimit të vizave dhe negociatat për MSA-në, për shkak të zgjedhjeve lokale.

Thaçi ka thënë se kjo vjeshtë është jashtëzakonisht e rëndësishme për hapat që do t’i bëjë Kosova në rrugën e saj evropiane.

Andaj, ai ka kërkuar që prioritet në angazhimin e institucioneve të jetë plotësimi i kritereve evropiane dhe më pastaj angazhimi në fushatën zgjedhore.

Këto komente, Thaçi i ka bërë në takimin Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

“Vjeshta është vendimtare për këto dy procese dhe kërkoj një angazhim maksimal prej të gjithëve. Për ju, liberalizimi i vizave dhe MSA-ja, duhet të jenë prioritet absolut. Kërkoj që me asnjë çmim, vëmendja juaj të mos përqendrohet në fushatën për zgjedhjet lokale. Detyra juaj parësore është që të siguroheni që secili zyrtar që ka detyrime në këtë proces, të jetë i angazhuar maksimalisht”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, analistët rikujtojnë se premtimet për liberalizim të vizave tashmë janë temë e dëgjuar nëpër fushata zgjedhore.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike rikujton se premtimet e kreut të qeverisë për liberalizim të vizave janë dëgjuar edhe në fushatën e kaluar.

Në vend të paralajmërimeve dhe premtimeve, qeveria dhe kryeministri, sipas Dolit, do të duhej të angazhoheshin seriozisht në përmbushjen e kritereve evropiane të përcaktuara edhe në udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për liberalizim.

“Premtimi i kryeministrit Thaçi që brenda 15 muajve Kosova do të merrte liberalizimin e vizave u dëshmua edhe njëherë se nuk ka qenë i saktë dhe është për qëllime paraelektorale e elektorale të qeverisë Thaçi, andaj dua të them që Kosova është dashur që nga fillimi të tregohet shumë më serioze dhe të përgatitet për sidat e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Doli.

Analisti Dren Doli ka thënë po ashtu, se disa trende negative që kanë ndodhur sivjet, si rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, migrimet ilegale dhe rekomandimi i Parlamentit Evropian që të lejohet kthimi i regjimit të vizave për vendet ballkanike që nuk i respektojnë kriteret e ka bërë këtë proces edhe më të vështirë për vendet aspirante siç është Kosova.

“Rigoroziteti që është vendosur nga BE-ja për të vlerësuar vendet që janë kandidate për liberalizim të vizave, në këtë rast Kosovën, do të kenë reflektim, ndoshta edhe në tejzgjatjen e vendimmarrjes përfundimtare. Duhet thënë se frika e vendeve anëtare të BE-së është shumë herë më e madhe sesa që ka qenë vite më për vendet që kërkonin liberalizimin e vizave”, ka thënë Doli.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se Komisioni Evropian do të dërgojë misione vlerësuese për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë muajit nëntor, sipas saj, ky mision do të vlerësojë të arriturat në kriteret që flasin për riatdhesimin, ri-integrimin; sigurinë e dokumenteve si dhe do të vlerësojë migrimin dhe azilin.

Varësisht vlerësimi të këtij misioni më pas Brukseli do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.

Përveç liberalizimit të vizave, qeveria ka diskutuar edhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Ky proces fillon zyrtarisht më 18 tetor, kur Prishtinën do ta viziton edhe Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.
XS
SM
MD
LG