Ndërlidhjet

Revoltohen prodhuesit e qumështit


Ilustrim
Ilustrim

Industria e prodhimit të qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin qind për qind të tregut kosovar, por megjithatë edhe ky sektor pengohet nga importi i produkteve të huaja.

Për këtë arsye prodhuesit dhe përpunuesit e sektorit të qumështit ditëve të fundit kanë shfaqur pakënaqësi dhe kanë mbajtur protesta duke kërkuar moslejimin e importit të këtyre produkte dhe njëherësh të jenë të barabartë me prodhuesit e vendeve të rajonit.

Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës se Përpunuesve të Qumështit, thotë se kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që t’i mbrojnë prodhimet vendore, siç është e paraparë me rregullore dhe marrëveshje të nënshkruara.

“Kërkesat tjera kanë të bëjnë me produktet, të cilat janë duke ardhur me dumping në Kosovë. Si dhe kërkesë tjetër ka qenë produktet e subvencionuara të qumështit që vijnë nga import, t’i nënshtrohen një takse shtesë, pasi të gjitha marrëveshjet dhe rregulloret që Kosova ka nënshkruar me vendet e rajonit, duke përfshirë edhe marrëveshjen e CEFTA-s, parashohin ndalimin e subvencionimit të qumështit dhe produktit të tij”, tregon Mema për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, tregu kosovar mbulohet me 40 për qind nga produktet vendore, kurse 60 për qind e prodhimeve të qumështit vijnë nga vendet e rajonit, thotë Mema, duke shtuar se nëse përmirësohen kushtet për këtë industri, Kosova ka kapacitete që tregun kosovar ta mbulojë qind për qind me qumësht dhe produkte të tij.

Në Kosovë ekzistojnë mbi 3000 ferma komerciale, të cilat deri në 170 mijë litra qumësht të freskët dorëzojnë në mbi 30 qumështore të licencuara.

Ndërkaq, të punësuar në industrinë e qumështit konsiderohet të jenë mbi 30 mijë punëtorë.

Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës se Prodhuesve të Qumështit në Kosovë, shprehet i zhgënjyer me trajtimin që po iu bëhet atyre nga autoritetet e vendit.

“Kemi ngritje të madhe të fermave dhe nëse kemi mundësi që të jemi konkurrentë me prodhuesit e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, ne shumë shpejt arrijmë të mbulojmë konsumin ditor. Sa i përket kapaciteteve instaluese të qumështoreve ne kemi kapacitete të mjaftueshme”, thotë Berisha.

Ndryshe, në një takim më përfaqësues të Shoqatave të Përpunuesve dhe Prodhueseve të Qumështit, ministri në largim i Financave, Besim Beqaj, ka kërkuar nga këta të fundit të dërgojnë propozimet dhe sugjerimet sa u përket politikave fiskale në mënyrë që të shqyrtohen dhe në kuadër të zgjidhjeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që ka të nënshkruara Kosova, të ndërmerren masa adekuate.

Megjithatë, nëse nuk plotësohen kërkesat, këto shoqata kanë paralajmëruar se më 23 korrik do të bllokojnë edhe pikat doganore. Ramadan Mema, shpjegon më shumë:

“Në qoftë se nuk kemi një zgjidhje të shpejtë të problemeve, për shkak se tashmë problemi është i papërballueshëm, pavarësisht asaj që ne, qe një kohë të gjatë i kemi paralajmëruar autoritetet e shtetit të Kosovës se do të vijë deri te kjo gjendje. Por, siç duket ata nuk e kanë marrë seriozisht kërkesën tonë. Dhe, faktikisht, nëse nuk kemi një zgjidhje të shpejtë, për datën 23 kemi paralajmëruar protestën e radhës, e cila parasheh edhe masa tjera duke mbyllur edhe kufijtë e Kosovës”.

Këto shoqata, më 15 korrik kanë mbajtur një protestë para ndërtesës së Qeverisë, ku kanë derdhur qumështin në shenjë pakënaqësie ndaj trajtimit që po iu bëhet atyre.

XS
SM
MD
LG