Ndërlidhjet

Maqedoni: Rritet borxhi, kërkohet ndryshimi i politikës monetare


Ilustrim
Ilustrim

Borxhi i Maqedonisë ka arritur shifrën rekorde prej 3.3 miliardë eurosh, apo 40 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi shtetëror në fund të muajit korrik sillej në 3.303 miliardë euro, apo 40.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Bëhet fjalë për borxhin më të lartë të arritur ndonjëherë që nga periudha e paskonfliktit të vitit 2001.

Strategjia e fundit për menaxhim me borxhin e jashtëm, kishte të bënte me periudhën 2010-2012, sipas së cilës, borxhi shtetëror nuk duhej të kalonte mbi 30 për qind, kurse ai publik mbi 40 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto.

Por, pasi kjo nuk u respektua, atëherë institucionet nuk kanë miratuar ndonjë strategji të re deri më sot kur me ndryshimet e reja kushtetuese parashihet që borxhi publik të rritet deri në 60 për qind.

Borxhi është ndaj ndërmarrjeve të brendshme, ndërsa ai i jashtëm është marrë në formë të kredisë nga shtete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se e gjithë kjo është pasojë e mungesës së zgjidhjeve konkrete nga ana e Qeverisë, e cila tani zgjidhjen e kërkon përmes marrjes së huave marramendëse. Borxhi i fundit i marrë në letra me vlerë sillet në rreth 500 milionë euro.

Zoran Vitanov, ish-ministër i Ekonomisë dhe profesor universitar, thotë se një shtet si Maqedonia nuk guxon t’i lejojë vetes një politike të këtillë të borxheve marramendëse.

“Kjo flet se Maqedonia duhet të bëjë ndryshime të mëdha në sferën e drejtimit të politikës ekonomike dhe për këtë nevojitet një konsensus i gjerë, të mos shohim se kush ofron zgjidhje, por të zgjedhim atë që është më e mira për vendin".

"Konsideroj se parësore është revidimi i politikës monetare të shtetit dhe urgjentisht të fillohet me stimulimin e prodhimit vendor. Viktimë e një politike të këtillë kanë qenë dhe janë ndërmarrjet vendore, sipërmarrësit, industria e kështu me radhë, të gjithë të tjerët kanë fituar, në radhë të parë bankierët dhe tregtarët”, thotë Vitanov.

Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veri-perëndimore theksojnë nevojën e ndryshimit të politikës monetare.

Drejtori i OEM-it, Arben Halili, thotë se vendimi i fundit i Qeverisë për rritjen e borxhit publik, si nga burimet e brendshme, ashtu edhe nga fondet e ndryshme do të rëndojnë edhe më shumë gjendjen ekonomike nga e cila më së shumti pësojnë qytetarët.

“Realisht, efektet ekonomike janë zero, kjo do të thotë se jeta e përgjithshme e qytetarëve dhe veprimtaria ekonomike në Maqedoni po bëhen gjithnjë e më të vështira“, vlerëson Halili.

Ai kërkon nga institucionet që të heqin dorë nga politika e borxheve dhe e masave tjera populiste që deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat në drejtim të krijimit të një mirëqenieje për qytetarët e Maqedonisë.

Mendoj se është momenti i fundit që njerëzit, të cilët janë përgjegjës për politikat ekonomike vendimmarrëse në shtet, të përqendrohen apo të orientohen në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike zhvillimore. Maqedonia ka miratuar shumë ligje, por të gjithë në një mënyrë apo tjetër janë kundërthënës. Ato janë kështu pasi i konvenojnë pushtetit aktual”, thekson Halili.

XS
SM
MD
LG