Ndërlidhjet

Kërkesat e opozitës për normalizimin e gjendjes


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Liderët e tri partive opozitare në Kosovë, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma, gjatë një takimi të përbashkët në presidencën e Republikës, ia kanë prezantuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kushtet e tyre për normalizimin e punës së Kuvendit të Kosovës dhe gjendjes së përgjithshme politike.

Fillimisht, opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të asaj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Së dyti, forcat politike në opozitë kanë kërkuar lirimin e deputetëve dhe aktivistëve të opozitës, të cilët cilësohen si të "burgosur politikë".

E në rast se marrëveshjet nuk anulohen, atëherë opozita kërkon që marrëveshjet t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit. Si zgjidhje të fundit, nëse edhe referendumi nuk mund të mbahet, atëherë opozita kërkon zgjedhje të përgjithshme.

Këto kushte i ka përmbledhur shkurt kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se vetëm plotësimi i tyre i ndal manifestimet e opozitës.

"Kemi treguar që në rast se nuk ka vullnet për anulimin e marrëveshjeve në jemi që ato të nxirren në votë popullore - në referendum. E në rast se as referendumin nuk e duan, atëherë kërkojmë që të shpallen zgjedhjet", ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka potencuar se anulimi i marrëveshjeve paraqet kërkesë të pakthyeshme të opozitës.

Sipas tij, nuk mund të ketë negociata për marrëveshje që cenojnë funksionimin e shtetit apo tërësinë territoriale të Kosovës.

"Pa anulim të marrëveshjeve, pa lirimin e të burgosurve politikë dhe pa një qëndrim të vendosur institucional të Kosovës se Kosova nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të bëjë koncesione sa i përket territorit, institucioneve dhe vetë qenies së Republikës së vet, Kosova as nuk do të mund të vazhdojë si Republikë, por në anën tjetër as nuk do të mund të ketë normalitet institucional", është shprehur Ymeri.

Po për të hënën, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte ftuar opozitën që të diskutojnë në lidhje me tejkalimin e krizës së krijuar.

Megjithatë, të tre liderët opozitarë injoruan këtë kërkesë duke thënë se ishte e vonuar.

Në thirrjen e tij, Mustafa ishte shprehur i gatshëm që për Asociacionin, fillimisht të pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku edhe është proceduar lënda në bazë të kërkesës së presidentes Jahjaga.

Kurse për demarkacionin me Malin e Zi, ka ftuar opozitën që në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të rivlerësohet marrëveshja.

Në vend të takimit me opozitën, Mustafa u prit nga presidentja Atifete Jahjaga.

Pas takimit, kryeministri Mustafa tha se ftesa e tij për opozitën mbetet në fuqi dhe se vendi duhet të dalë nga gjendja e krijuar.

"Ne me presidenten kemi kontaktet ë rregullta për të gjitha çështjet. Biseduam edhe në lidhje me nismën e saj e cila ka qenë edhe më parë për të gjetur një rrugë-zgjidhje nga kjo situatë. Ne e përkrahim iniciativën e saj. Nuk biseduam për çështjet konkrete, por natyrisht që është një proces nga i cili ne duhet të dalim nga kjo gjendje gjithsesi, vetëm në suaza të Kushtetutës dhe ligjit", ka thënë Mustafa.

Pesë ligjvënës nga opozita aktualisht janë në paraburgim ose në arrest shtëpiak - Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi, Haxhi Shala, Ismail Kurteshi dhe Fisnik Ismaili - dy të tjerë - Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli - janë në kërkim, për hedhje të gazit lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

Përmes gazit lotsjellës, vezëve dhe bllokimit të foltores, opozita ka synuar të bllokojë punimet në Kuvend, duke kërkuar shfuqizimin e marrëveshjeve të kontestueshme për opozitën.

Po sot, autoritetet e rendit kanë shoqëruar për në polici edhe një ligjvënës tjetër, Pal Lekajn, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me të njejtat akuza.

XS
SM
MD
LG