Ndërlidhjet

Zgjidhja politike te dialogu


Foto nga seanca e fundit
Foto nga seanca e fundit

Kërkesat e subjekteve politike në opozitë për normalizimin e gjendjes politike në Kosovë, nuk mund të zbatohen pa vendosjen e dialogut me partitë në pushtet dhe faktorin ndërkombëtar, thonë analistët politikë.

Këto kërkesa, liderët opozitarë ia kanë dorëzuar të hënën edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Aty mes tjerash kërkohet lirimi i deputetëve dhe aktivistëve, të opozitës të cilët po mbahen në paraburgim.

Ndërkaq më pastaj, kërkohet anulimi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin.

E në rast se ato nuk anulohen, kërkohet referendum apo zgjedhje të parakohshme.

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se me kalimin e kohës, kriza vetëm sa është thelluar dhe se tani, zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes kompromiseve që duhet të bëjnë të dyja palët.

Kërkesën e opozitës për lirimin e deputetëve dhe aktivistëve të arrestuar, Muhaxhiri e sheh si një përzierje në punët e gjyqësorit.

Kurse dy kërkesat tjera, ajo për organizimin e referendumit apo zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, fjalën kryesore mund ta thotë edhe faktori ndërkombëtar.

Ky faktor, nënvizon Muhaxhiri, ka mbështetur krijimin e këtij koalicioni për të çuar përpara dialogun me Serbinë dhe themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

"Sa i përket referendumit dhe zgjedhjeve, për këto kërkesa duhet një marrëveshje më e gjerë mes pozitës dhe opozitës si edhe faktorit ndërkombëtar. Dihet që kjo qeveri është krijuar për t'i çuar përpara disa procese dhe nëse referendumi apo zgjedhjet bëhen pengesë për funksionimin e saj do të jetë vështirë që së paku bashkësia ndërkombëtare ta japë miratimin për zgjedhje të reja apo referendum", thënë Muhaxhiri.

Përderisa opozita ka parashtruar disa kërkesa në formë kushtesh, partitë në pushtet, sipas Artan Muhaxhirit e kanë injoruar situatën e krijuar duke mos ofruar asnjë zgjidhje.

Ndërkohë, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi vlerëson se vetëm përmes vendosjes së dialogut politik mund të paramendohet tejkalimi i gjendjes së krijuar.

Sipas tij, do të ishte e dobishme që palët të mos parashtrojnë kushte, por fillimisht të ulen dhe të bisedojnë.

Marrë parasysh kushtet e opozitës, Krasniqi sheh pak gjasa që ato të përmbushen ashtu siç janë prezantuar, pa një proces paraprak negociatash me partitë në pushtet deri në gjetjen e një kompromisi.

"Ka nevojë për një dialog politik edhe duhet të ndërpritet thirrja e seancave plenare, ngase mënyra se si po vazhdohet tani me hedhjen e gazit lotsjellës për të penguar mbajtjen e seancave dhe me arrestimin e deputetëve opozitarë më pastaj, nuk do të ketë më se me kënd të dialogojë qeveria. Është mirë që janë vendosur në letër kërkesat dhe ofertat, pasi që deri më tash ka qenë njëfarë gjendje amullie, ku nuk është ditur se kush çfarë po kërkon", ka theksuar Krasniqi.

Kërkesa e opozitës për referendum, sipas Albert Krasniqit duhet të analizohet edhe për kah aspekti kushtetues, pasi që ka të bëjë me një çështje ndërkomunale, siç është Asociacioni.

Kurse për zgjedhjet e parakohshme, ai beson se ato mund të mbahen, por nuk pret që do të sillnin zgjidhje të problemit.

Po ashtu, Krasniqi e sheh si pozitive edhe ftesën që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ua drejtoi partive politike në opozitë për dialog.

Kjo ftesë sipas tij, do të duhej të shoqërohej edhe me vendimin e kryeministrit për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për demarkacion pas shumë kundërthënieve që ka nxitur marrëveshja me Malin e Zi në bazë të planit të përgatitur nga po ky komision.

Përndryshe, opozita që nga 25 gushti, kur kryeministri dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin, ka ndërprerë bashkëpunimin me partitë në pushtet.

Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita ka bllokuar apo ka bërë përpjekje të bllokojë punën e Kuvendit, duke përdorur edhe gazin lotsjellës e mjete tjera.

Për shkak të këtyre sjelljeve, janë 5 deputetë opozitarë ndaj të cilëve po zbatohen masa ndëshkimi, qoftë me paraburgim prej 30 ditësh, arrest shtëpiak apo paraqitje në prokurori.

Edhe të martën, policia e Kosovës ka shoqëruar në polici dy deputetë të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun e Faton Topallin, të cilët ishin në kërkim për të njëjtat sjellje në Kuvend.

XS
SM
MD
LG