Ndërlidhjet

Sfidat dhe arritjet në sistemin e arsimit


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës gjatë vitit që lamë pas, është angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit, si dhe përmbushjen dhe realizmin e objektivave, programeve dhe projekteve në arsim, si pjesë e dokumenteve strategjike të kësaj ministrie.

Sipas një raporti përmbledhës të kësaj ministrie, thuhet se Kosova ka zhvilluar sistemin arsimor në të gjitha nivelet, me theks të veçantë përmendet përfshirja e nxënësve në këtë sistem.

Mesatarisht 9 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin fillor, 8 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin e mesëm, 5 nga 10 të rinj ndjekin arsimin e lartë.

Por, megjithatë edhe sfidat kanë qenë evidente, thotë për Radion Evropa e Lirë, Azem Guri, këshilltar në këtë ministri, duke mos anashkaluar të arriturat, që sipas tij janë më të mëdha.

“Sistemi i arsimit e konsideron se në disa lokalitete, ekzistimi i disa shkollave të vjetra, ka qenë një sfidë efikasiteti në pesë ligje që i ka sponsorizuar ministria, përkushtimin e arsimit profesional".

"Ndërsa të arritura i konsiderojmë pilotimin e kurrikulave në 92 shkolla, realizimin me sukses të prodhimit të testit shtetëror të maturës, strategjia e sigurimit të cilësisë për arsimin parauniversitar... “ ka thënë Guri.

Guri ka shtuar se gjatë këtij viti ka filluar edhe rishikimi i teksteve për arsimin e obliguar, e që duhet të përfundojë deri në muajin prill të këtij viti.

Ai ka përmendur se edhe raporti mësues - nxënës dhe hapësira për nxënës është përmirësuar.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, Kosova ka 23.830 mësimdhënës, 382.000 nxënës dhe 122.000 studentë.

Në anën tjetër, përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, konsiderojnë se autoritetet e arsimit janë larg përmbushjes së kërkesave të arsimit.

Rrahman Jashari, kryetar i kësaj sindikate, për Radion Evropa e Lirë, thotë se shumica e obligimeve që ka pasur niveli qendror dhe lokal, sa i përket sistemit të arsimit, gjatë vitit 2015 nuk kanë arritur të përfundojnë.

Kështu që vitin 2015, ai e quan të dështuar.

“Po them se shumë objektiva që janë varur nga kabineti qeveritar nuk janë realizuar dhe ky vit për qeverinë e Kosovës, karshi arsimit nuk mund të thuhet se ishte i suksesshëm”, thotë Jashari.

Sidoqoftë, gjatë vitit që lamë pas jo rrallë herë nga ekspertë për çështje të arsimit është kritikuar për shkallën e lartë të analfabetizmit dhe nivelin e ulët të cilësisë së arsimit si në nivelin para universitar, por edhe atë universitar.

Sa i përket cilësisë, gjatë 2015-s është hartuar dhe miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Strategjia për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016-2020.

Kurse për çështjen e analfabetizmit, Halim Hyseni udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, se numri i analfabetëve funksional duhet të jetë mbi 40 për qind.

Me këtë sipas tij, Kosova e zë vendin e parë në Evropë me nivelin e lartë të analfabetizmit.

“Problemi i analfabetizmit në Kosovë është shqetësim i madh, sepse cilësia e sistemit të edukimit dhe arsimit, është në atë nivel që ende prodhon numër të madh të analfabetëve funksionalë. Do të thotë, analfabetë, të cilët dinë lexim-shkrim, por lexim-shkrimin nuk mund ta përdorin për përmirësimin, integrimin e tyre në jetën aktive qytetare”, ka thënë Hyseni.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.

Mosha e personave analfabetë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, thuhet të jetë mbi 55 vjeç.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, vazhdimisht kanë deklaruar se përmes projekteve të ndryshme, janë munduar të ulin shkallën e analfabetizmit.

Përveç sistemit parauniversitar, në gjendje më të mirë nuk qëndrojnë as institucionet e arsimit të lartë.

Ditëve të fundit, ekspertë për çështje të arsimit, dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë thënë se mësimdhënia jo e rregullt, personeli i pakualifikuar, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës, mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, plagjiatura e punimeve të diplomave, janë vetëm disa nga problemet që po e përcjellin arsimin e lartë në Kosovë.

Sa i përket arsimit të lartë, në raportin përmbledhës të Ministrisë së Arsimit, thuhet se në këtë nivel gjatë vitit 2015, MASHT-i është angazhuar në garantimin e autonomisë akademike të institucioneve të arsimit të lartë, si kusht thelbësor në rritjen e cilësisë.

Me qëllim të rritjes së cilësisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin akademik 2015/2016, është realizuar rritja dhe zvogëlimi i numrit të studentëve në fusha të caktuara të studimit për të reflektuar në nevojat e tregut të punës dhe bazuar në kapacitetet kadrovike të Universitetit.

Por, se a do të ketë mundësi për një zhvillim më efikas për sistemin e arsimit për vitin 2016, Azem Guri këshilltar i ministrit të Arsimit, thotë se përpjekjet nuk do të mungojnë.

Buxheti i ndarë për këtë ministri për vitin 2016 është rreth 270 milionë euro, apo 17 për qind nga buxheti i përgjithshëm i Kosovës

“Kërkesat asnjëherë nuk janë në harmoni me buxhetin, kërkesat gjithmonë janë më të larta. Por, në suaza të atij buxheti që disponojmë ne jemi munduar që të përmbushim këto kërkesa”, tha Guri.

Sidoqoftë, gjatë vitit të kaluar, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për herë të parë ka marrë pjesë në vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA) që është vlerësim për njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas, ministria ka nënshkruar marrëveshjen për marrjen e një kredie në vlerë prej 11 milionë dollarësh nga Banka Botërore, siç thuhet për përmirësimin e sistemit të arsimit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG