Ndërlidhjet

Marrëveshje me paqartësi rreth datës së zgjedhjeve në Maqedoni


Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey, gjatë një adresimi para medieve
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey, gjatë një adresimi para medieve

“Nëse të gjithë i ndjekin rregullat e lojës, atëherë besoj se zgjedhjet më 5 qershor mund të jenë kredibile dhe me këtë vendi të ecë para, drejt kapërcimit të krizës politike”, është shprehur ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily, pas arritjes së marrëveshjes për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, se çka nëse njëra nga partitë i bojkoton zgjedhje, ai tha se qëndrimi i tyre është se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje.

Ambasadori amerikan në Shkup gjithashtu ka theksuar se reformat në fushën e medieve dhe liria e tyrejanë me shumë prioritet dhe me rëndësi të madhe për zgjedhjet.

“Reformat e medieve dhe liria e të shprehurit mbeten pjesë e rëndësishme, jo vetëm e procesit zgjedhor, por edhe e reformave të kërkuara nga BE-ja. Se si do të vlerësohen media dhe sfera mediatike, varet prej asaj se si ata do ta kryejnë punën e tyre, si do t'i mbulojnë këto zgjedhje të rëndësishme.”

“Të gjithë ju nënshkruat Kodin e Etikës dhe prandaj, më e rëndësishme do të jetë se si do ta kryeni punën tuaj dhe do të kontribuoni që qytetarët e Maqedonisë të informohen", ka theksuar ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily .

Pavarësisht arritjes së marrëveshjes për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, nga 24 prilli më 5 qershor, ende vazhdojnë paqartësitë rreth asaj se për çka janë marrë vesh përfaqësuesit politik maqedonas.

Lideri opozitar, Zoran Zaev u shpreh se në Maqedoni duhet të ketë dhe do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, me listë të pastruar zgjedhore dhe reforma në medie.

Por, lideri VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, para gazetarëve ka deklaruar se është dakorduar për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, vetëm pasi ka marrë garanci nga bashkësia ndërkombëtare se më nuk do të ketë shtyrje të tyre.

Ai ka theksuar se nuk do të ketë kushtëzime të reja për çështjen e medieve, apo listën zgjedhore.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pikërisht çështja e reformave në media dhe pastrimi i listës së votuesve janë shtyllat bazë për sigurimin e zgjedhjeve të besueshme më 5 qershor, dhe në këtë drejtim, nuk duhet lënë hapësirë për kurrfarë dilemash.

“Pa reforma të thella dhe rrënjësore, që nënkuptojnë reformimin total të trupave rregullator që merren me rregullimin e medieve, njëherësh edhe pa vendosjen e dënimeve më të theksuara për mos balancim të zgjedhjeve, për mos respektim të etikës gazetareske, mos dënim të gjuhës së urrejtjes së shfaqur ...etj., mediet nuk do të jenë në krye të detyrës për informim të drejtë dhe të balancuar”, thekson Xhelal Neziri, publicist.

Ndërkaq, Nikolla Dujovski konsideron se shtyrja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve, në këtë moment kritik që ndodhet vendi, në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar si triumf ose dështim për subjekte të caktuara politike.

“Unë gjithmonë kam qenë ithtarë i asaj se nuk duhet të përcaktohet një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, pa u përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja politike e Përzhinos, përfshirë këtu dhe pastrimin e listës së votuesve, dhe pa u zgjidhur çështja e medieve”

“Por, pasi që përfaqësuesit politik ranë dakod që zgjedhjet të mbahen me 5 qershor, atëherë të gjitha subjektet politike duhet të demostrojnë vullnet politik, që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve me sukses t’i kryejë obligimet e parapara me ligj, për sigurimin e një procesi zgjedhor të besueshëm”, nënvizon Nikolla Dujovski .

Ndryshe, mbrëmjen e së martës, në mesnatë, shumica parlamentare në Maqedoni ka anuluar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë, duke e caktuar 5 qershorin si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo marrëveshje u arrit pas një varg takimesh të përfaqësuesve ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorit amerikan, Jess Baily dhe tre europarlamentarëve, Riard Houit, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan, me përfaqësuesit e katër partive kryesore politike në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG