Ndërlidhjet

Cilësia e arsimit "parandalon" radikalizmin


Ilustrim
Ilustrim

Përmirësimi i cilësisë në arsim, zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në kuadër të kurikulave shkollore, janë faktorë dominues për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën "Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit", ku u diskutua për rolin e arsimit dhe ndikimin që ka ai në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në Kosovë.

David Philips nga Universiteti i Kolumbias në New York, theksoi se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të bëhet vetëm përmes institucioneve të sigurisë, por duke forcuar nivelin e arsimit në Kosovë.

Sipas tij, mungesa e perspektivës i detyron shumë të rinj që t'i bashkëngjiten grupeve ekstremiste.

"Mundësitë për të rinjtë, promovimi i vendeve të punës, zhvillimi ekonomik, mediet në përgjithësi që përçojnë mesazhe konstruktive, bashkëpunimi me imamët në nivelin lokal që ata të bëhen 'kampion' në moderim, janë mjete të lehta në luftimin e ekstremizmit".

"Sigurisht që çështjet e sigurisë janë shumë me rëndësi. Nuk mund t'i minimizojmë. Luftimi i ekstremizmit nuk do të ndodhë vetëm me institucionet e sigurisë, por me adresimin e këtyre problemeve si dhe më e rëndësishmja, në përmirësimin e nivelit të arsimit", tha Philips.

Nevojën e ngritjes së cilësisë së arsimit në Kosovë dhe shqyrtimin e kurikulave mësimore, e theksoi edhe eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci.

"Shtrohet pyetja, sa na aftëson niveli i arsimit që t'i menaxhojmë diversitetet në Kosovë, sepse është një detyrë e sistemit të arsimit që t'i aftësojë njerëzit t'i menaxhojnë diversitetet dhe në qoftë se këto menaxhohen me sukses, sigurisht se edhe niveli i ekstremizmit është më i ulët".

"Ne nuk e kemi pjesëmarrjen e keqe në sistemin e arsimit, pra jemi të krahasueshëm me vendet e tjera të rajonit, përveç kur bëhet fjalë për edukimit parashkollor ku pjesëmarrja në Kosovë është relativisht më e ulët. Nëse merret shembull mosha 4-5 vjeçare, rreth 40% e fëmijëve janë në sistemin parashkollor, përderisa Bashkimit Evropian e ka njëfarë targeti prej 95%. E pse po e përmendi pikërisht edukimin parashkollor? Sepse zhvillohen shkathtësitë e paraleximit, paranumërimit që ndikojnë mjaft shumë në një shkollim të suksesshëm", shtoi Pupovci.

Sipas Pupovcit, pjesëmarrja në arsimin e lartë në Kosovë është më e larta në Evropë, që nuk e bën faktor të pjesëmarrjes në luftëra të huaja.

"Shkathtësitë e të menduarit kritik, shkathtësitë e zgjidhjes së problemeve, që janë faktikisht rezultate të drejtpërdrejta të sistemit të arsimit, e mos të flasim për shkathtësitë që lidhen me nevojat e tregut të punës, sepse nëse shkathtësitë nuk janë në përputhje me nevojat e tregut të punës, atëherë ai është një gjenerator i papunësisë", theksoi Pupovci.

Zbatimi i politikave të arsimit, si dhe atyre që mund ta ushqejnë ekstremizmin, sipas Pupovcit nuk janë të qarta në nivelin e arsimit në Kosovë.

Përkrahja institucionale e sidomos ajo ndërkombëtare, është thënë të jetë faktor i fuqishëm në luftimin e ekstremizmit.

Lidhur me këtë David Philips nga Universiteti i Kolumbias, duke përmendur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për shtet-ndërtim, me theks të veçantë tërhoqi vërejtjen për "miqtë e rrejshëm të Kosovws"

"Dua t'ju paralajmëroj për "miqtë e rrejshëm" që mund t'i keni. Turqia ka profil të lartë në Kosovë, dhe sipas informacioneve që kam, nuk është duke pasur një rol konstruktiv, ata nuk po ofrojnë më shumë bursa, TIKA ka një shtrirje të madhe në Kosovë dhe agjenda e Turqisë është vetëm promovimi i islamit në Kosovë. Kështu që të keni kujdes, mbajeni në mend se Kosova e ka rrugën drejt integrimit evropian", tha Philips.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës kanë ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Kosova ka edhe "Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm".

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se rreth 300 qytetarë të Kosovës, janë pjesmarrës në luftërat e huaja në Siri dhe Irak. (RFE)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG