Ndërlidhjet

Pushteti forcon kontrollin mbi gjyqësorin në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim

Emërimet e disa ish funksionarëve të lartë shtetëror, por edhe të atyre aktualë në poste në larta në gjyqësor, si gjykatës, prokurorë, noterë, si dhe pozicione të tjera, kanë rritur dyshimet mbi gatishmërinë e pushteti aktual për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend, që është edhe një nga kriteret kryesore të vendosura, jo vetëm për procesin integrues, por edhe për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Me vendim të këshillit të prokurorisë republikane, që është nën kontrollin e pushtetit, një ish ministër është zgjedhur për prokuror ndërsa një tjetër ministri dhe një deputeteje aktuale do t'i jepen licenca për kryerjen e punëve noteriale.

Emërime ka pasur edhe më parë, si në gjykatën kushtetuese ku për anëtarë të saj ka ministra dhe zyrtarë të tjera të partive politike, por emërimet e fundit janë vlerësuar si skandaloze pasi vijnë në kohën kur për shkak të mosbesimit ndaj gjyqësorit, është formuar edhe një Prokurori speciale për hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale.

“Emërimet e fundit të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë partiak në sistemin e drejtësisë, si gjykatës dhe prokurorë, nuk çon në departizimin e gjyqësorit, përkundrazi, ata njerëz janë të mbingarkuar me të kaluar të thellë politike dhe sigurisht se do të jenë në shërbim të partisë e cila i ka caktuar në poste të tillë në pushtetin gjyqësor”, thotë Nikolla Dujovski, profesor i sistemit politik në Universitetin e Shkupit.

Ai thotë se sistemi gjyqësor në vend është në gjendje katastrofale, që u dëshmua edhe nga afera e përgjimeve, e cila nxori në sipërfaqe skandale të shumta, ku janë të përfshirë edhe gjykatës e prokurorë, duke u vënë në shërbim të pushtetit ekzekutiv.

Emërimet e fundit, sipas Dujovskit, flasin qartë se ky pushtet nuk është i gatshëm të heq duart nga gjyqësori, përkundrazi përmes emërimeve të zyrtarëve të saj në pozita të larta dëshiron të sigurohet se kuadrot e tyre do të jenë të sigurt nga ndjekja penale.

“Mendoj se duhet të ndryshoj mënyra e caktimit të kuadrove në gjyqësor. Të vendosni një ish ministër të eksponuar në gjyqësor, apo kuadro tjerë në pozicionin e prokurorisë, në kohën kur të gjithë presim ndryshime, konstaton dyshimet se në kriza vetëm se mund të thellohet dhe se nuk mund të priten ndryshimet aq shume të përfolura për gjyqësor të pavarur”, thotë Dujoski.

Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon, thotë se ndryshimet në gjyqësor duhet të jenë rrënjësore, në të kundërtën do të vazhdoj rrënimi i tërë sistemit të drejtësisë.

“Mendoj se shumë shpejtë duhet të fillohet me reformat në gjyqësor, të bëhet një çmontim i tërë sistemit gjyqësor duke filluar nga emërimet e përgjithshme, të prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha instancat që nga gjykatat dhe prokuroritë themelore e deri tek Prokuroria republikane dhe Gjykata supreme”,thotë Kadriu duke propozuar miratimin e një ligji të veçantë për caktimin e kritereve për zgjedhje të reja për gjykatës dhe prokuror.

Ai dyshon nëse një propozim i tillë do të miratohet, por beson se kjo mund të ndodhë në rast të siç thotë, “ndryshimit të pushtetit në Maqedoni”.

Një pushtet i pavarur dhe funksional, thotë Osman Kadriu është në të mirën e demokracisë, në të mirën e qytetarëve të Maqedonisë pasi pa një gjyqësor efikas dhe të paanshëm nuk mund të ketë perspektivë për shoqërinë në përgjithësi.

“Partitë politike vijnë dhe shkojnë nga pushteti, por ajo që duhet të ngelet në dobi të shtetit, në interes të qytetarëve të tij, janë institucionet dhe prej tyre gjyqësori është në vend të parë. Pushteti gjyqësor në Maqedoni asnjëherë në historikun e tij nuk ka qenë më i politizuar dhe partizuar se sa tani që është”,thotë Osman Kadriu. (REL)

XS
SM
MD
LG