Ndërlidhjet

Gazetari amerikan rrëfen vitet e kaluara si i burgosur në Siri


Peter Theo Curtis, pas lirimit të tij më 27 gusht 2014
Peter Theo Curtis, pas lirimit të tij më 27 gusht 2014

Associated Press

Në 2012, gazetari i pavarur Theo Padnos shkoi në Siri për të mbuluar luftën civile, por menjëherë u rrëmbye nga anëtarët e një dege të Al-Qaidas. Të bindur se ai ishte agjent i CIA-s, sepse Padnos fliste arabisht, militantët e mbajtën atë afro dy vjet, përpara se ta lironin në gusht të vitit 2014.

Padnos, i cili me prejardhje është nga Massachusetts, ka përshkruar rrugëtimin e tij në dokumentarin e titulluar “Theo Who Lived”, që do të shfaqet më 30 shtator në Cambridge. Premiera teatrale do të shfaqet në New York City më 7 tetor dhe më pas do të shfaqet edhe në vende të tjera.

Gazetari 47-vjeçar, që po jeton në Paris dhe Vermont, i ka treguar Associated Press se sa mirënjohës është që ka mbijetuar.

Kjo përvojë e hidhur jo vetëm që ka ndryshuar mendimin e tij për jetën, por i ka dhënë edhe një perspektivë mbi konfliktin sirian dhe ai e ndjen se sa është e rëndësishme që ta ndajë me të tjerët.

Padnos është duke shkruar një libër, një skenar dhe një roman me vizatime për eksperiencën e tij. Ai kishte shkruar për rrëmbimin e tij në revistën New York Times Magazine pasi ishte liruar dhe si gazetar po vazhdon të shkruajë artikuj për këtë rajon.

“Kam pasur një rrugëtim të vërtetë shpirtëror, që për mua dhe familjen time, në atë kohë ishte gjë e frikshme”, thotë Pandos.

“Por, kur shikoj prapa dhe e kuptoj se kjo është ajo që më ka dhënë jeta, unë dua që ato që kam mësuar nga kjo eksperiencë t’i kthej në përfitim pozitiv”, ka shtuar ai.

Dokumentari shfaq Pandos në Turqi dhe Izrael, ku në mënyrë artistike rikrijohet rrëmbimi i tij 22 mujor. Ekipi i filmit nuk ka shkuar në Siri. Padnos reflekton mbi rrëmbimin e tij, në skena ku është rikrijuar qelia e vogël e burgut dhe dhoma ku ai i nënshtrohej torturave dhe rrahjeve.

Përgjatë kufirit Turqi-Siri, ai kujton momentin kur bashkudhëtarët e tij e bindën atë të kalonin me vrap në fushë e më pas të kapërcenin telat me gjemba, për të kaluar në territorin e Sirisë.

Këtë moment Padnos thotë se e ka rikujtuar vazhdimisht për muaj të tërë. Tre burra, të cilët pretendonin se e furnizonin Ushtrinë e Lirë Siriane, i ofruan Padnos të kalonte kufirin me ta. Por, në fakt, ata ishin aleatë të Al-Qaidas. Ata kishin sajuar një intervistë të rreme, e kishin rrahur dhe e kanë mbajtur peng, vetëm pak kohë pasi kanë kaluar kufirin.

“Ky është momenti kur jeta ime u shkatërrua. Është si të ecësh drejt një gremine, por unë në fakt u hodha”, thotë Padnos në film.

“Tani unë jam kthyer në një vend të sigurt dhe e mendojpse vallë u hodha?”, shprehet ai.

Padnos gjithashtu tregon në detaje një seri të tentimeve për të ikur, të cilat kishin dështuar, përfshirë këtu një histori kur me shokun e tij të qelisë, fotoreporterin amerikan Matthew Schrier, i cili kishte arritur të dilte nga një dritare e burgut, por jo edhe Padnos.

Nëna e gazetarit, Nancy Curtis, e cila është intervistuar për këtë dokumentar, thotë se ajo akoma ka emocione të përziera lidhur me lirimin e djalit të saj. Gjatë kohës sa djali i saj po mbahej nga ekstremistët, ajo ishte bërë shumë e afërt me prindërit e amerikanëve të tjerë të rrëmbyer nga ekstremistët. Shumë prej tyre nuk ishin aq me fat sa familja e saj, thotë ajo.

Curtis dhe anëtarë të tjerë të familjes kanë punuar me qeverinë e SHBA-ve dhe të Katarit, dhe me sukses arritën që ta aranzhonin lirimin e Padnos, vetëm pak ditë pasi militantët e Shtetit Islamik, e ekzekutuan me prerje koke gazetarin amerikan, James Foley. Familja e Padnos thotë se për lirimin e djalit të tyre nuk kanë paguar para.

“Gjithmonë kam pasur shpresë se ai do të kthehet në shtëpi”, thotë Curtis. “Por unë nuk ndjej gëzim të madh dhe lumturi. Besoj se kushdo që ka pasur një ushtar në luftë dhe është kthyer në shtëpi nuk ka pasur emocione të ngjashme”, shpjegon ajo.

Regjisori David Schisgall thotë se historia e Padnos është një përjetim i rrallë i jetës brenda grupit xhihadist për një të jashtëm, në mënyrë që të kuptojë më thellë gjuhën dhe kulturën e këtij rajoni.

Pasi kishte mësuar për vite të tëra arabishten dhe Islamin në Jemen dhe Siri, Padnos ishte në gjendje të krijonte besim dhe miqësi me disa prej rrëmbyesve të tij. Nga fundi i burgosjes së tij, atij i ishte dhënë liri më e madhe dhe madje i lejohej të udhëtonte personalisht me komandantët më të lartë të Frontit Al-Nusra në Siri.

“Afërsia e vërtetë që ai krijoi me rrëmbyesit e tij është mbresëlënëse”, thotë Schisgall.

“Është një mesazh i rëndësishëm për amerikanët, të cilët i shohin këta njerëz që luftojnë si individë të komplikuar, të cilët janë edhe të rrezikshëm por edhe shumë njerëzor”, shton tutje ai. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG