Ndërlidhjet

BE-ja insiston në Demarkacion, Kuvendi përgatitë deklaratë për liberalizimin e vizave


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Bashkimi Evropian ka ritheksuar sërish se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa u plotësuar edhe dy kriteret e fundit, përkatësisht pa u ratifikuar marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit dhe pa u dhënë rezultate që dëshmojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës po përgatitë të miratojë një deklaratë politike, e cila do t’i bënte ftesë Bashkimit Evropian që t’ia heqë vizat Kosovës, me pretendimin se kriteret për liberalizim janë përmbushur, kurse Demarkacioni do të ratifikohet në momentin e arritjes së një konsensusi të gjerë politik në vend.

Por, në raportin e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, thuhet se nuk mund të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa përmbushjen e dy kritereve të fundit.

Për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Kuvendit të Kosovës i nevojiten 80 vota, të cilat aktualisht nuk i ka, ngase marrëveshja po kundërshtohet nga tri partitë opozitare, një numri të caktuar të deputetëve në pushtet, si dhe nuk është mbështetur as nga Lista Serbe.

Përderisa të mos gjendet një zgjidhje për Demarkacionin, pritjet janë të vogla që Kosova të përfshihet në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza – Schengen.

Ndërsa, në Bruksel, rruga e Kosovës deri te heqja e vizave është bërë e qartë dhe është kufizuar tashmë me dy kriteret e fundit.

Kuvendi i Kosovës po përgatit miratimin e një deklarate politike për liberalizimin e vizave pa kushte.

Kjo është bërë e ditur pas takimit që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit e Kosovës.

“Është rënë dakord që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, sipas Veselit, do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Ndërkaq, deputetët e opozitës në këtë takim, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, kanë shprehur sërish qëndrimet e tyre kundër marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi. Por, ata kanë theksuar përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për procese me interes për Kosovën.

Në këtë takim, ku është diskutuar miratimi i deklaratës politike për liberalizimin e vizave dhe pozicionit të Kosovës karshi Demarkacionit, nuk kanë marrë pjesë anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Komisioni Evropian ka konstatuar se nga 95 kritere, Kosova tashmë i ka përmbushur 93. Dy kriteret që kanë mbetur të përmbushen janë Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe aspektet që dëshmojnë për forcimin e sundimit të ligjit përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi u nënshkrua në gusht të vitit 2015 nga autoritetet në Prishtinë e Podgoricë, me praninë ndërkombëtare. Marrëveshja më pas u cilësua e papranueshme nga opozita, e cila e kundërshtoi brenda Kuvendit përmes përdorimit të gazit lotsjellës, por edhe jashtë tij përmes protestave. (REL)

XS
SM
MD
LG