Ndërlidhjet

Listat zgjedhore me kandidatët që “hetohen” – thellojnë krizën


Shkup - Foto nga arkivi
Shkup - Foto nga arkivi

Njohësit e çështjeve politike thonë se në garë parlamentare nuk duhet të jetë asnjëri që hetohet nga Prokuroria Speciale, në të kundërtën Maqedonia do të thellojë edhe më shumë krizën politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 11 dhjetor.

Deri më tani, vetëm Partia Demokratike Shqiptare ka bërë publike listën e kandidatëve për deputetë.

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, do të prezantojë listën e kandidatëve, me të cilët do të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën në kuadër të Kongresit të partisë.

Jozyrtarisht mësohet se edhe VMRO DPMNE-ja të dielën do të organizojë një tubim partiak për t’i prezantuar emrat e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që pritet që bartës të listave në partinë e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të mbesin kandidatët që ishin caktuar për zgjedhjet e 5 qershorit, në krye me vetë Gruevskin si bartës liste në një nga gjashtë njësitë zgjedhore.

Konsultimet e fundit është duke i bërë edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila pritet të garojë me shumë emra të rinj. Pjesë e listës do të jenë dhe deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit. Zyrtarë të partisë nuk dhanë hollësi se në listë do të përfshihen ose jo emrat e ministrave të larguar.

Pero Dimshoski, njohës i çështjeve politike, ish-sekretar shtetëror në sektorin për çështje evropiane, duke komentuar mundësinë që në listën e kandidatëve për deputetë partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski të vendosë emra, të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale ashtu siç ishte rasti në qershor ka thënë.

“Nga ajo që e njoh dhe personalisht Nikolla Gruevskin, mendoj se ai mund të tërhiqet nga kandidimi për deputet, nëse vlerësohet se kjo është në të mirë të partisë së tij, por problemi qëndron në atë se në këtë parti ka një grup njerëzish, e ardhmja politike e të cilëve varet pikërisht nga përfshirja e drejtpërdrejtë e Gruevskit në institucionin ligjvënës”, thotë Dimshoski.

Ai shton se nëse në Parlamentin e ardhshëm gjenden persona, për të cilët ka ngritur padi Prokuroria Speciale, edhe më shumë do të komplikohet situata, veçanërisht nëse realizohet kërkesa e Bashkimit Demokratik për Integrim, që Prokuroria Speciale të marrë një mandat të përhershëm.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare konsideron vendosja eventuale e emrave, të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale Publike në listat për deputetë, tregon se këta persona janë të frikësuar nga përballja me ligjin. Andaj, duke u zgjedhur për deputetë kërkojnë të fitojnë imunitet që pastaj ta shfrytëzojnë këtë imunitet më shumë për të mos u përballur me drejtësinë sesa të ruajnë pozitat.

“Mendoj se ky proces është i dëmshëm, sepse të gjithë ata, të cilët hetohen nga ana e Prokurorisë Speciale Publike do të duhej të mos përfshihen në listat zgjedhore për deputetë, sepse kjo krijon konfuzion dhe do të ndikojë që institucionet e ndryshme që janë përgjegjëse për të luftuar krimit të organizuar, të mos i kenë duart e lira për të vepruar”, thekson Sinani, profesor universitar.

Ndërkaq, politikologia maqedonase, Sonja Stojadinoviq, për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike, cilado qoftë ajo, nëse vendos që të garojë me personaliteteqë ishin pjesë e të ashtuquajturave “bomba”, nga bisedat e përgjuara, do të thotë se me vetëdije bëjnë “vetëvrasje politike” duke shuar të ardhmen e partisë.

“Pavarësisht se kemi një eter të kontrolluar mediatik, populli mban mend mirë se cili person ishte pjesë e krimit të organizuar, cili person ka keqpërdorur forcën që ia dha populli përmes votës, duke drejtuar institucionet shtetërore, jo në interes të qytetarëve në përputhje me ligjin, por duke krijuar benifite për veten dhe partinë që përfaqëson. Në këto zgjedhje personat e tillë do të dënohen, madje dhe nga vetë anëtarësia e partisë që do t`i kandidojë”, vlerëson Stojadinoviq.

Ndryshe, afati i fundit për dorëzimin e listavepër kandidatë për deputetë, partitë politike dhe kandidatët e pavarur, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, më së voni është deri më 11 nëntor në mesnatë. Fushata parazgjedhore fillon më 21 nëntor, ndërsa përfundon më 9 dhjetor. Nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, synohet ti jepet fund krizës politike, në të cilën ndodhet Maqedonia për një kohë të gjatë.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG