Ndërlidhjet

Më shumë shpenzime në alkool dhe cigare sesa në arsim


Ilustrim
Ilustrim

Vetëm një për qind apo 37 euro gjatë një viti, nga buxheti i ekonomive familjare, qytetarët e Kosovës i shpenzojnë për arsim. Kurse, pjesën më të madhe të buxhetit, apo rreth 44 për qind të tij, familjet e shfrytëzojnë për ushqim dhe pije joalkoolike, ndërkaq për alkool dhe duhan shpenzojnë katër për qind.

Këto të dhëna janë paraqitur në anketën e Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2015, të publikuar më herët nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas kësaj ankete, konsumi familjar vitin e kaluar ka qenë 7,500 euro, kurse për kokë banori 1,400 euro.

Nga kjo vlerë, për ushqim dhe pije jo alkoolike shpenzohen 3,200 euro, 308 euro në vit shpenzohen për duhan dhe alkool, kurse vetëm 37 euro për arsim.

Të ardhurat mesatare vjetore për vitin 2015 kanë qenë nga 1,300 euro deri në 5,000 euro, varësisht nga kualifikimet arsimore.

Ekspertë të arsimit shprehin shqetësimin se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë shpenzimet për nevojat e arsimit dhe këto mjete i orientojnë në destinacione të tjera.

Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se shuma e shpenzuar në arsim ndikon edhe në cilësinë e arsimit.

Ai madje pohon se kjo është edhe një nga arsyet kryesore për renditjen e ulët të Kosovës në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar për Nxënës, i njohur më shkurtesën “PISA", në të cilin Kosova është radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

“Faktori i dytë për gjendjen në të cilin është cilësia e arsimit është pikërisht se qytetarët e Kosovës nuk janë të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë që ka arsimi, për të mirën individuale, familjare dhe për të mirën e shtetit. Institucionet arsimore dhe popullata duhet të investojë në arsim, sepse nuk ka progres dhe nuk ka përparim në asnjë fushë pa ngritjen dhe avancimin e arsimit”, thotë Hyseni.

Shpërndarja e buxhetit të ekonomive familjare realizohet në mënyrë të gabuar, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Eksperti Naim Gashi e quan alarmant faktin se si qytetarët shpenzojnë më shumë për duhan dhe pije alkoolike sesa për nevoja në arsim.

Ai thotë se sektori i arsimit, përveç se duhet të jetë prioritet për shtetin, duhet të jetë prioritet edhe për familjet.

"Në Kosovë kjo përqindje e shpenzimit për edukim do të duhej të ishte më e lartë. Këtu po tregojnë edhe studimet e fundit ndërkombëtare, të cilat nuk e vlerësojnë në nivelin e dëshiruar sistemin e arsimit në Kosovë."

"Ajo që mund të them është se sektori i arsimit duhet të jetë prioritet nacional i Kosovës, jo vetëm i shtetit, por edhe i familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, sepse vetëm përmes arsimit ne mund të gjenerojmë një rritje ekonomike dhe përmirësim të standardit jetësor të popullatës. Një popullatë e pa arsimuar do të thotë një popullatë e varfër”, shprehet Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Halim Hyseni, ndërkaq, thekson se është koha e fundit kur institucionet e Kosovës sistemin e arsimit duhet ta shpallin prioritet në agjendën e tyre. Ai thotë se përveç shumës se vogël financiare që shpenzojnë familjet për arsim, edhe autoritete kompetente nuk investojnë dhe ndajnë buxhet të vogël për fushën e arsimit.

“Kjo dëshmon se arsimi, me gjithë deklaratat politike se ka qenë prioritet, de fakto nuk ka qenë prioritet. Derisa arsimi nuk ka qenë prioritet, kur ne e dimë se në çka ka kaluar arsimi në të kaluarën, se me këtë buxhet të paraparë nuk ka pasur kurrfarë mundësie që cilësia e arsimit të jetë më e mirë se sa kjo që është treguar. Ky fond i ndarë për arsimin ka kontribuar që nxënësit tanë, në programin “PISA”, ta tregojnë rezultatin e që kanë treguar”, thotë ai.

Ndryshe, të dhënat e ASK-së janë mbledhur në tërë Kosovën gjatë një viti, duke përfshirë 2.400 ekonomi familjare, të zgjedhura sipas metodës së rastit dhe në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian (BE) dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG