Ndërlidhjet

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë status shtet-formues


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike Shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët, përmes komunikatave të veçanta, kanë njoftuar miratimin e deklaratës së përbashkët të arritur në takimet konsultuese në Tiranë dhe Prishtinë, me drejtuesit më të lartë shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, këto parti politike kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar, nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë, në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Partitë Shqiptare, siç thuhet në deklaratë, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike.

“Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.

Partitë, gjithashtu, angazhohen për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”; mbështetje të plotë për punën e Prokurorisë Speciale, si dhe “zbardhjen e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.

Në dokument janë edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, ndërsa kërkohet edhe formimi një i një ministrie për sistem politike dhe marrëdhënie me komunitetet, si dhe realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

“Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave. Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara”, thuhet më tej në dokument.

Sa i përket integrimit të Maqedonisë, partitë politike shqiptare në bazë të dokumentit të dakorduar, angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për siç thuhet, "prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; zgjidhjen e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënie të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve, hapjen e pikave të reja kufitare, e të tjera".

Përmbushja e këtyre objektivave, siç thuhet në dokument, do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare, e cila do të funksiononte sipas parimit të rotacionit dhe të përcaktonte afatet për realizimin e objektivave të dokumentit.

Por, që kjo deklaratë të marrë formën e prerë duhet të miratohet nga institucionet shtetërore, përkatësisht të mbështetet nga partitë maqedonase, qoftë ajo VMRO-ja apo LSDM-ja, pasi pa votat e tyre asnjë nga këto pika nuk do të mund të realizohen. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG