Ndërlidhjet

Gjeorgjia dyfishon masat kundër martesave të çifteve me gjini të njëjtë


Ilustrim

Partia qeverisëse e Tbilisit, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka marrë qëndrim të çuditshëm për të justifikuar propozimin e saj rreth ndalimit përmes Kushtetutës për martesat e çifteve të gjinisë së njëjtë në ish-republikën sovjetike.

Në shumicën e vendeve, kundërshtarët e martesave të këtyre çifteve i bazojnë argumentet e tyre në doktrina fetare, tradita, çështje morale dhe shqetësime të ndryshme të prindërve.

Mirëpo kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, njëherësh edhe udhëheqës i Komisionit Shtetëror Kushtetues, ka thënë se “Ëndrra Gjeorgjiane” dëshiron të ndryshojë përkufizimin e martesës me Kushtetutë, për të parandaluar "grupet e caktuara" nga nxitja e ndjenjave homofobike dhe anti-perëndimore.

Kobakhidze i bëri këto deklarata gjatë një prezantimi para Komitetit parlamentar për Integrime dhe të Drejta të Njeriut.

Ne i respektojmë të drejtat e çdo grupi, përfshirë minoritetet”, ka thënë Kobakhidze para këtij komiteti. “Prandaj një ndryshim i tillë, nuk do të jetë bazë për diskriminim”.

Por, Beka Gabadadze, aktivist i shoqatës Temida me bazë në Tbilisi, që mbron të drejtat e komunitetit LGBTQI, ka thënë se ligjvënësit e “Ëndrrës Gjeorgjiane” janë përgjegjës për shtimin e homofobisë duke bërë fushata për ndalime kushtetuese për martesat e çifteve të gjinisë së njëjtë.

Në Ëndrrën Gjeorgjiane ka politikanë konservativë të cilët janë homofobik. Kryetari i Parlamentit frikësohet ta pranojë faktin se ata janë homofobik dhe po provojnë të miratojnë ligje të tilla”, ka thënë ai.

Unë si një person gej, mund të them se kampanja e tyre është duke forcuar stereotipet negative dhe po rritë komentet homofobike”, ka shtuar Gabadadze.

Masat e reja janë në mesin e shumë amendamenteve kushtetuese të propozuara nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Në Kushtetutën aktuale të Gjeorgjisë thuhet se “martesa duhet të bazohet në të drejta të barabarta dhe vullnet të lirë të bashkëshortëve”.

Nuk deklarohet hapur se martesa është e lejueshme vetëm mes gjinisë së kundërt.

Sidoqoftë amendamenti i propozuar nga “Ëndrra Gjeorgjiane”, definon martesën si “bashkim në mes të një gruaje dhe burri… e bazuar në të drejta të barabarta dhe vullnet të lirë të bashkëshortëve”.

Pas draftimit të amendamentit nga Qeveria gjatë prillit, 11 organizata joqeveritare në Gjeorgji patën bërë thirrje që të shtohet edhe rregullohet me ligj edhe pjesa “forma të tjera të jetesës”. Me anë të kësaj shtese do të mund të mbetej e hapur mundësia për lidhjet në mes të personave të gjinisë së njëjtë.

Gabadadze ka thënë se nuk pritet nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane” të hap rrugë drejt lejimit të lidhjeve mes gjinisë së njëjtë në Gjeorgji.

Ai ka parashikuar se do të rritet numri i sulmeve urrejtëse kundër këtij komuniteti nëse amendamenti do të miratohet. Miratimi pritet të bëhet pasi “Ëndrra Gjeorgjiane” ka 115 nga 150 ulëse sa ka gjithë Parlamenti.

Ai po ashtu i ka fajësuar politikanët e kësaj partie pasi sipas tij, të njëjtit kanë përmendur këtë çështje, si pjesë të premtimeve në fushatën elektorale në zgjedhjet e vitit 2016.

Lëvizjet e komunitetit LGBT në Gjeorgji nuk kanë mbajtur ndonjëherë kampanja për legalizimin e martesave ose bashkimit të çifteve të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Gabadadaze, duke shtuar se këto martesa janë të ndaluara hapur, në bazë të kodit civil të Gjeorgjisë.

Është e vërtetë se homofobia në Gjeorgji është shumë e pranishme, andaj politikanët janë duke përdorur homofobinë e tyre politike për të rritur ndikimin brenda shtetit”, ka shtuar më tutje Gabadadze.

Ne e dimë tashmë se deklarata të tilla për martesat e këtyre çifteve janë aktuale në Gjeorgji kur vjen koha e zgjedhjeve apo krizave politike”.

Studimet e 15 viteve të fundit tregojnë se nga të gjitha grupet minoritare në Gjeorgji, anëtarët e komunitetit LGBT, gjenden në presionin më të madh, pasi 80 për qind e respodentëve të anketuar kanë pasur qasje shumë negative ndaj homoseksualitetit.

Gjeorgji: Kërkohen hetime për sulmin kundër një femre transgjinore
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Këto studime po ashtu tregojnë se si këto qasje negative vinë më së shumti si shkak i ndikimeve tradicionale, tabuve dhe vlerave që promovohen vazhdimisht nga Kisha Ortodokse e Gjeorgjisë.

Pjesëtarët e këtij komuniteti mund të përballen me lloje të ndryshme të dhunës edhe brenda ambienteve familjare.

Komisioni i Venedikut, në kuadër të Këshillit të Evropës, në një sesion të mbajtur në qershor, ka thënë se "dispozitat e barazisë së martesës nuk duhet të interpretohen në atë mënyrë që përjashtojnë njohjen e bashkimit të personave me gjini të njëjtë".

Komisioni i Venedikut po ashtu ka theksuar se Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut kërkon nga shtetet anëtare “njohje ligjore të martesave të çifteve të gjinisë së njëjtë” dhe se “mosnjohja e këtij statusi konsiderohet si shkelje” e të drejtave të njeriut.

Gjeorgjia sikurse çdo vend tjetër i Këshillit Evropian është i obliguar t’iu përmbahet standardeve tona të përbashkëta andaj ky vend e ka të domosdoshme njohjen e martesave të gjinisë së njëjtë”, ka thënë ndër të tjera komisioni.

Eksperti i të drejtave të njeriut, David Zedelashvili, ka thënë se ndalimi i martesave të komunitetit LGBT edhe me Kushtetutë, mund të dëmtojë të drejtat e njeriut në Gjeorgji.

Ky hap mund t’i shkaktojë probleme “Ëndrrës Gjeorgjiane” në synimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një aktiviste flet në një tubim për të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji
Një aktiviste flet në një tubim për të drejtat e komunitetit LGBT në Gjeorgji

Një studim i vitit 2016 i publikuar nga fondacioni Heinrich Boll vlerësoi pozitivisht Gjeorgjinë për “përparime të dukshme” në “fushën legjislative” të cilat janë kundërshtojnë qasjet homofobike.

Në raport thuhet se përparimi përfshin një amendament në Kodin Penal i cili parasheh se sulmet kundër komunitetit LGBT klasifikohen si nxitje për urrejtje.

Sipas këtij raporti ligjet e reja për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti në Gjeorgji më shumë kanë qenë rezultat i “synimeve pro perëndimore të vendit” sesa “zgjedhje politike” apo shenja për ndryshime shoqërore.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG