Ndërlidhjet

SHBA: Konsensus në Senat për përzierjen ruse në zgjedhje

  • RFE /RL

Senatorët Richard Burr (majtas) dhe Mark Warner

Një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara thotë se ekziston konsensus se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, por ende po zhvillohen hetime lidhur me çështjen nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë ndërmjet Moskës dhe ekipit të fushatës së Donald Trumpit.

Senatori republikan nga Karolina Veriore, Richard Burr, kryesues i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha mbrëmë në Uashington se komiteti “vazhdon të shikojë në të gjitha dëshmitë për të parë nëse atje ekziston çfarëdo prove për marrëveshje të fshehtë...po ne ende nuk jemi atje”.

Mëtutje, ai ka theksuar se komiteti i ka kryer më se 100 intervista, përfshirë shumë pjesëtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ish-presidentit, Barack Obama, dhe i ka shqyrtuar më se 100 mijë dokumente gjatë hetimit të tyre.

Mëtutje, ai është shprehur:

Mendoj se ekziston konsensus i përgjithshëm në mesin e anëtarëve se ne u besojmë konkluzioneve të CIA-s, por ne nuk e mbyllim shqyrtimin tonë për këtë, megjithqë vështirë se do të gjejmë informatë shtesë gjatë kompletimit të hetimit tonë”, tha Richar Burr.

Vlerësimi i komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ishte se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Senatori demokrat nga Virxhinia, Mark Warner, zëvendëskryesues i Komitetit të Inteligjencës, tha se ekziston “konsensus” se rusët “kanë ndërhyrë në mënyrë kibernetike në dosjet politike” të Shteteve të Bashkuara dhe kanë publikuar informacione në përpjekje për “të ndikuar në zgjedhje”.

Zoti Burr tha se megjithqë Rusia është përzier në zgjedhje, ai mund të thotë në mënyrë “të certifikuar” se totali i votave nuk e kanë ndryshuar rezultatin.

Sipas tij, komiteti ka përcaktuar se involvimi rus në blerjen e shpalljeve në mediat sociale ishte “joselektiv” dhe nga kjo nuk ka përfituar “njëra palë e spektrit ideologjik ose tjetra”.

Senatori Burr tha se me shpalljet e blera është bërë “përpjekje për të krijuar kaos dhe do të thoja se ata ishin tmerrësisht të suksesshëm”.

Mëtutje, ai ka theksuar se shumë media sociale nuk i kanë marrë seriozisht kërcënimet nga ndikimi rus në procesin demokratik para zgjedhjeve dhe se zyrtarët nga kompanitë, Google, Twitter dhe Facebook, do të paraqiten në dëgjimet publike, “në mënyrë që amerikanët të dëgjojnë se si ata do ta mbrojnë procesin zgjedhor në të ardhmen dhe si do ta dinë nëse një shpallje është e gjeneruar nga një entitet i jashtëm”.

Rrjeti Facebook ka njoftuar para disa ditësh se do t’i angazhojë më se një mijë vetë për të ndihmuar në parandalimin e paraqitjeve të shpalljeve mashtruese në Facebook dhe ndikimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Facebook i ka dhënë Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara më se 3 mijë shpallje, për të cilat thotë se me gjasë ishin operuar jashtë Rusisë dhe kanë postuar çështje përçarse gjatë fushatës.

Senatori Burr tha se Senati nuk do t’i publikoj këto shpallje por e ka inkurajuar Facebookun që ta bëjë këtë.

Në fund të fundit është me rëndësi për popullin amerikan që t’i shef këto shpallje”, tha Burr.

Senatori Warner tha se shërbimet e inteligjencës së Rusisë nuk janë kufizuar vetëm në zgjedhjet amerikane.

Masat e përpjekjeve aktive ruse nuk kanë përfunduar në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Ata nuk ishin të përqendruar vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi parë shqetësime që janë ngritur në Francë, në Holandë, në Gjermani, dhe për këtë arsye ne duhet të jemi në roje”, tha Mark Warner.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG