Ndërlidhjet

Një aleancë kontradiktore vendos për të ardhmen e Sirisë


Presidentët: Hassan Rohani i Iranit, Recep Tayyip Erdogan i Turqisë dhe Vladimir Putin i Rusisë.
Presidentët: Hassan Rohani i Iranit, Recep Tayyip Erdogan i Turqisë dhe Vladimir Putin i Rusisë.

Presidentët e Iranit, Turqisë dhe Rusisë kanë shprehur të mërkurën vendosmërinë e tyre “për të përshpejtuar përpjekjet në sigurimin e paqes në Siri”.

Pas takimit në Ankara, ata kanë thënë se janë të përkushtuar për arritjen e “armëpushimit të qëndrueshëm” atje.

Bisedimet midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, atij rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tyre iranian, Hassan Rohani, kanë qenë të parat në pesë muaj të nivelit të tillë për të ardhmen e Sirisë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë atje, por problemi është se Rusia, Turqia dhe Irani kanë treguar prioritete kundërthënëse dhe interesa të ndryshëm, si për Sirinë, ashtu edhe për gjithë rajonin.

Teherani, për kohë të gjatë, ka mbështetur regjimin e presidnetit sirian, Bashar al-Assad, ndërsa është edhe armik i aleates së NATO-s, Turqisë. Moska e ka mbështetur Iranin ekonomikisht, ndërsa Siria është aleati i saj më i afërt në Lindjen e Mesme. Ankaraja e kundërshton Assadin dhe është përplasur me Rusinë për shekuj me radhë.

“Që nga fillimi, kjo aleancë tripalëshe midis Moskës, Ankarasë dhe Teheranit është aleancë e komoditetit. Është shumë e pazakontë për shkak të interesave të ndryshëm që kanë”, thotë Marc Pierini, ish-ambasador i Bashkimit Evropian në Turqi, Siri, Libi dhe Tunizi.

Pastaj vjen Uashingtoni - për kohë të gjatë forcë dominuese në politikat e Lindjes së Mesme - me të cilin të trija shtetet kanë agjenda konfliktuoze, ndonëse kanë nevojë për të, për të balancuar disa forca.

Në rastin e Izraelit, për shembull, SHBA ndihmon që ta parandalojë atë në ndërmarrjen e veprimeve më agresive kundër forcave të Qeverisë siriane apo milicive të Iranit. Uashingtoni po ashtu do t’iu duhet për të ndihmuar në organizimin dhe financimin e rindërtimit të Sirisë, kur të përfundojë konflikti.

Guta Lindore, Siri
Guta Lindore, Siri

Takimi i parafundit midis Putinit, Rohanit dhe Erdoganit është zhvilluar nëntorin e kaluar në qytetin Soçi të Rusisë.

I emërtuar Procesi i Astanës – sipas kryeqytetit të Kazakistanit, ku tre vendet kanë nisur fillimisht pëprjekjet e përbashkëta – ai takim nuk ka sjellë rezultate. Në muajt që kanë pasuar, ka pasur veprime të shtuara ushtarake në Siri nga të trija palët.

Siria, ndërkohë, ka kryer sulme me armë kimike kundër forcave opozitare në zonat civile.

“Askush në Perëndim nuk beson se Procesi i Astanës do të sjellë rezultat të qëndrueshëm. Procesi duhet të kthehet në tryezat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Për të pasur diskutime të frytshme, duhet edhe pozicioni i SHBA-së, e cila nuk është atje”, thotë Pierini, i cili tani është analist në Institutin Carnegie Europe.

Sipas tij, veprimet e Turqisë dhe lidhjet e saj të ngrohta me Moskën duket se janë motivuar pjesërisht nga politikat e brendshme dhe politikanët nacionalistë që i konsiderojnë kurdët kërcënim për shtetin turk.

Pierini thotë se rrezik real për Perëndimin është se Irani dhe Rusia mund t’i japin Turqisë dritën e gjelbër për të zgjeruar operacionet e saj në lindje të Sirisë, ku SHBA ka rreth 2,000 forca që operojnë së bashku me njësitet britanike dhe franceze, si dhe me milicitë kurde.

“Një gjë e tillë do të ishte jashtëzakonisht e komplikuar”, thotë Pierini.

"Srebrenica e Sirisë"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:16 0:00

Kur bëhet fjalë për Rusinë, veprimet e saj në Siri kanë qenë prej kohësh pjesë e një strategjie, qëllim i së cilës është të sfidojë SHBA-në në kriza të mëdha gjeopolitike, thotë analistja ruse, Olga Oliker. Por, kjo paraqet rrezik për Moskën.

“Qasja e Rusisë duket të jetë kjo: ngrihu kundër SHBA-së, të themi në Siri, arrij marrëveshje dhe pastaj kjo është përgjegjësi e ndarë”, thotë Oliker. Megjithatë, sipas saj, Rusia tani përballet me tjetër model.

“Rusisë i ka mbetur të gjejë fundin e lojës, me SHBA-në, që deri në një masë të caktuar, luan rolin e ndërhyrësit. Ky është ndryshim i roleve”, thotë Oliker.

Steven Cook, ekspert në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se takimi në Ankara është një përkujtues për suksesin e Rusisë në mbushjen e vakumit që ka lënë mosangazhimi i SHBA-së në rajon.

“Në Siri, rusët kanë demonstruar vullnet politik dhe mbajtje të fuqisë”, ka shkruar Cook në një analizë këtë javë.

"Rusët nuk po largohen, ata kanë një strategji për të dobësuar Perëndimin dhe kjo fillon në Lindjen e Mesme. Për më tepër, Moska nuk e ka më bagazhin ideologjik të komunizmit, duke e bërë më të lehtë për të që të bëjë avancime në rajon”, ka shkruar Cook.

Lufta civile në Siri ka nisur qysh në vitin 2011. Mbi 360,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG