Ndërlidhjet

May synon t’i japë fund bllokadës për Brexit


Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May i ka mbijetuar një vote mosbesimi në Parlamentin britanik të mërkurën dhe më pas iu ka bërë thirrje ligjvënësve nga gjithë spektri politik që të bashkohen për të thyer bllokadën që veçse ekziston lidhur me marrëveshjen për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Ligjvënësit kanë votuar me 325 vota në të mirë të Mayt dhe 306 kundër Qeverisë së saj, vetëm 24 orë pasi plani i saj për Brexit nuk ka gjetur përkrahje në shtëpi, transmeton Reuters.

Teksa është duke u afruar data e 29 marsit, kur është planifikuar për të hyrë në fuqi Brexiti, Mbretëria e Bashkur gjendet në krizën më të thellë politike, meqë ekzistojnë koncepte të ndryshme lidhur me atë se si duhet larguar Britania nga blloku evropian, të cilit i është bashkuar më 1973.

Pas publikimit të rezultateve për votën e mosbesimit, May ka thënë se beson që Parlamenti e ka për detyrë që të gjejë zgjidhje për procesin e Brexitit.

Mirëpo me pakënaqësitë e shprehura nga ana e ligjvënësve, Britania mund të përballet me Brexit pa marrëveshje, apo edhe me organizimin e një referendumi të ri.

“Tani deputetët e kanë bërë të qartë se çfarë nuk duan, andaj neve na duhet të punojmë së bashku për të prezantuar atë që kërkon parlamenti”, ka thënë May në një deklaratë para zyrës së saj.

“Për këtë arsye jam duke ftuar të gjithë ligjëvnësit që të bashkohen për të gjetur një rrugë. Tani është koha që të lëmë anash interesat personale”.

Pas votës së mosbesimit, May është takuar me liderë të ndryshëm partiakë, ndonëse lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Cornyn ka rezufuar ta takojë atë, përveç nëse hedhet poshtë mundësi e Brexitit pa marrëveshje.

Votimi i së martës për planin rreth Brexitit dhe ai për mosbesimin ndaj qeverisjes së May ditën e mërkurë, kanë vënë në pah problemet e mëdha me të cilat përballet kryeministrja britanike.

Pa marëveshje nuk ka bisedime

Megjithatë, Corbyn ka thënë se në në këtë proces nuk mund të ketë bisedime pozitive, pa u larguar nga tavolina mundësia e Brexitit pa marrëveshje.

Partia e tij kërkon bashkim të përjetshëm doganor me Bashkimin Evropian, një lidhje të ngushtë me këtë treg dhe më shumë siguri për punëtorët dhe konsumatorët.

Zëdhënësi i kryeministres May nuk ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje. Kritikët kanë thënë se një gjë e tillë nënkupton që May nuk është nuk hedhur poshtë gjithë planin e saj që ka ndarë parlamentin.

Partitë tjera opozitare I kanë shkruar laburisit Corbyn pas mocionit të mosbesimit që të kërkojë mbajtjen e një referendumi të dytë, pasi nuk do të mbahet zgjedhje të reja.

Mirëpo ai dhe figura të larta politike kanë shprehur frikën se ndalja e procesit të Brexitit mund të armiqësojë 17.4 milionë persona që kanë votuar në të mirë të largimit të Britanisë nga blloku evropian.

Expose: Brexit-i, ndodh, nuk ndodh

Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:29 0:00

Kompanitë ndërkohë kanë paralajmëruar për humbje katastrofike të vendeve të punës dhe kaos nëpër porte nëse Brexit përfundon pa plan paraprak.

Prej kur Britania ka votuar për t’u larguar nga BE-ja në qershor të vitit 2016, klasa politike në këtë shtet ka qenë duke diskutuar si të largohet nga BE-ja.

“Nuk ka më lojëra”

Mospërkrahja e ditës së martë, duket të ketë mbytur strategjinë dyvjeçare të kryeministres May, e cili ka paraparë një largim miqësor nga blloku evropian si dhe një periudhë tranzicioni, gjatë së cilës Britania do të ndiqte një politikë tregtare të pavarur, së bashku me lidhjet e ngushta me BE-në, njëherësh tregun më të madh të vetëm në botë.

Anëtarët tjerë të BE-së, kanë bërë thirrje për diskutim mirëpo kanë thënë se ka pak mundësi për ndonjë ndryshim thelbësor në paktin tashmë të negociuar me lideren britanike.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass ka thënë se “tashmë ka kaluar koha e të luajturit së lojërave”.

Për Bashkimin Evropian, Brexiti mund të rezultojë me zhgënjimin më të madh në gjithë historinë 60 vjeçare, ndonëse 27 vendet vendet anëtare kanë treguar unitet të konsiderueshëm në këtë çështje.

Mbështetësit e Brexitit kanë thënë se ekonomia britanike mund të përballet me situatë të dhimbshme në fillim, mirëpo më pas do të vazhdojë të lulëzojë.

Kundërshtarët e largimit të Britanisë në anën tjetër kanë thënë se ky proces do të dobësojë Perëndimin dhe do ta bëjë Britaninë më të varfër.

Britania e Madhe është paraparë të largohet nga BE-ja më 29 mars të këtij viti.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG