Ndërlidhjet

Prokuroria heton rrjedhën e dëshmive për “Reketin”


Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva, foto nga arkivi.
Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva, foto nga arkivi.

Prokuroria Publike e Shkupit po heton rrjedhën e dëshmisë së një të akuzuari në rastin “Reketi”, ndërsa ka dalë me thirrjen drejtuar mediave që të mos raportojnë emra dhe detaje nga rasti se mund të dëmtojnë procesin hetimor.

Në fakt, reagimi i Prokurorisë vjen pasi në një portal është publikuar dëshmia e afaristit Orce Kamçev, lidhur me zhvatjen nga ai të 1.5 milion euro nga Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, që ndodhen në paraburgim së bashku me kryeprokuroren Speciale, Katica Janeva, po ashtu e dyshuar lidhur me këtë skandal.

Kryeministri Zoran Zaev, dhe tre anëtar tjerë të Qeverisë, kanë paralajmëruar padi për shpifje ndaj atyre mediave që i kanë përmendur si pjesë e skandalit, bazuar siç kanë thënë, në dëshminë e afaristit. Kreu i qeverisë, në disa raste ka mohuar çdo përzierje në këtë rast ndërsa ka shprehur gatishmërinë e përballjes me çdo hetim të mundshëm.

Nga ana tjetër, opozita ka vazhduar me kërkesën drejtuar organit të akuzës që të ftojë në biseda edhe drejtuesit e lartë të qeverisë, që sipas VMRO DPMNE-së, duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë rast.

“Kërkojmë menjëherë që të ftohen që të japin dëshmitë e tyre të gjithë të përfshirët në rastin “Reketi”, prokurorja e lëndës Vilma Ruskoska katër muaj më parë ka pasur dëshminë e të dëmtuarit, Orce Kamçev dhe nuk ka guxuar të ftojë asnjë nga zyrtarët. Përgjegjësi duhet të ketë për të gjithë dhe vlerësojmë se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat do të rimëkëmbin Maqedoninë”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Hetim të rastit “Reketi” ka kërkuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë. Kryetari i saj, Ali Ahmeti, ka thënë se ky rast edhe njëherë dëshmon nevojën që të gjitha institucionet t’i nënshtrohen një vettingu, në veçanti organet e drejtësisë.

“Ne angazhohemi që të kemi vetting në këtë vend për të gjitha institucionet, të kemi transparencë në të gjitha institucionet e vendit, duke filluar që nga organet më të larta shtetërore deri te ato komunale. Kjo besoj se mund të na çojë tek një sukses në luftën kundër krimit, korrupsionit si dhe rritjes së cilësisë së jetës së njerëzve…Ne mendojmë se me këto parime mund të ndërtojmë një shtet dhe një shoqëri shumë më të përparuar, zhvilluar dhe afër integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar kryetari BDI-së, Ali Ahmeti.

Njohësit e çështjeve juridike, ndërkohë kanë ngritur nevojën për hetime urgjente edhe të vendndodhjes së parave që besohet të jenë marrë nga afaristi nga dy të arrestuarit.

“Konsideroj se është shumë me rëndësi të dihet se ku janë paratë, kush sa ka marrë nga të arrestuarit, apo edhe nëse ka të përfshirë edhe persona të tjerë. Pamjet që janë transmetuar nga video-incizimet e mediave italiane nuk janë të mjaftueshme, prandaj mendoj se hetimet duhet të përqendrohen në gjetjen e parave”, ka thënë Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme.

Ndërkohë, partitë politike i janë rikthyer bisedimeve për arritjen e një kompromisi të mundshëm për Ligjin e prokurorisë publike, që të martën hyn në procedurë parlamentare, por pa mbështetjen e opozitës.

XS
SM
MD
LG