Ndërlidhjet

Zhbogar: Zgjidhja për gjyqësorin, më e rëndësishme se bisedimet me BE-në


Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Samuel Zhbogar ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë marrëveshje për ligjin e Prokurorisë Speciale, duke e vlerësuar madje si më të rëndësishëm se sa marrja e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Zhbogar konsideron se politikanët duhet të angazhohen për kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

"Vlerësoj se arritja e një zgjidhjeje për një gjyqësor funksional është shumë më e rëndësishme se data e fillimit të negociatave me BE-në. Vlerësoj se pikërisht në këtë segment palët duhet të përqendrohen. Nëse rikthehet besimi, jam i sigurt se ne në BE do ta vërejmë këtë ndryshim", ka deklaruar ambasadori i BE-së.

Sa i përket pritjeve të institucioneve për marrjen e datës në tetor, Zhbogar tha se ka ende kohë për këtë, dhe se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet në përmirësimin e gjendjes në gjyqësor duke gjetur zgjidhje për Prokurorinë Speciale, por edhe për zbardhjen e rastit “Reket”.

"Ne duam të shohim se çfarë do të ndodhë me rastet që përfshijnë ish- zyrtarët. Zgjidhja nuk është arritur ende. U bëj thirrje dy partive politike të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të arritur një konsensus për këtë çështje", ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar.

Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës, Hristijan Mickovski të mërkurën janë takuar, por nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me ligjin e Prokurorisë.

Opozita kërkon që me ligjin e ri të mbyllen lëndet që ka ngritur Prokuroria Speciale pas skadimit të mandatit të saj më 1 qershor të vitit të kaluar, por kjo kërkesë nga Zaevi është vlerësuar si përpjekje e opozitës për të amnistuar zyrtarët e saj të akuzuar për shpërdorim të detyrës gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit.

XS
SM
MD
LG