Ndërlidhjet

Dështon takimi i liderëve për Ligjin e Prokurorisë Publike


Takimi i liderëve.
Takimi i liderëve.

Takimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski, ka përfunduar pa asnjë marrëveshje lidhur me Ligjin e Prokurorisë Publike, që konsiderohet si shumë i rëndësishëm për konsolidimin e sistemit gjyqësor dhe procesin e marrjes së datës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zoran Zaev, në një paraqitje para mediave pas takimit që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë, ka akuzuar kreun e opozitës, se qëllim kryesor sipas tij, ka mbrojtjen e ish-zyrtarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së, të akuzuar për shpërdorim detyre, në periudhën e qeverisjes me vendin.

“Sinqerisht, jam i dëshpëruar nga epilogu i takimit të liderëve dhe sjellja e opozitës. Kisha shpresë se do të arrijmë një zgjidhje dhe të ecim përpara, por kërkesa e opozitës është kundër çdo logjike, është kundër BE-së, NATO-s, kundër vlerave e parimeve të shtetit ligjor. Besoja se më në fund do të heqin dorë nga paraardhësit e tyre, do të lënë anash Gruevizmin dhe do të punojnë për të ardhmen e vendit, por kjo nuk ndodhi. VMRO-DPMNE-ja kërkon që lëndët e Prokurorisë Speciale të jenë nën kontrollin e tyre, të mbyllet procedimi i tyre, të gjitha procedurat para-hetimore dhe hetimore, që të heshtim krimin që është bërë. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke theksuar vendosmërinë që të gjitha hetimet apo proceset gjyqësore që kanë nisur nga Specialja do të vazhdojnë deri në epilogun përfundimtar.

“Ne në interes të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, ne ofruam formimin e një prokurorie të re që do të ndjekë korrupsionin e lartë dhe ku prokurori i parë do të zgjidhet me propozim të opozitës. Por, kjo ata nuk i intereson pasi synim të vetëm kanë shpëtimin e regjimit të kaluar të përfshirë në krim, të mbyllen të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me shpërdorimet e tyre”, ka deklaruar kryeministri Zaev. Ai është shprehur i gatshëm për vazhdimin e negociatave apo siç ka thënë është në pritje të opozitës nëse do të ndërrojë mendjen dhe të pranojë kompromisin e qeverisë.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja hedhin poshtë pretendimet e kryeministrit Zaev duke theksuar se është pikërisht ai që nuk dëshiron marrëveshje, meqë sipas Antonio Milloshoski, pushteti ka refuzuar kërkesën që rasti “Reket”, i zhvatjes së 1.5 milion euro nga afaristi, Orce Kamçev, t’i lihet një prokurori tjetër dhe jo Vilma Ruskoskës, e cila sipas opozitës është e afërt me qeverinë aktuale.

“E pamë se për pushtetin është shumë me rëndësi, që askush tjetër përveç prokurores së tanishme, Vilma Ruskoska të mos ketë qasje në dëshmitë dhe materialet tjera që kanë të bëjnë me rastin ‘Reket’. Kjo na lë për të dyshuar dhe të supozojmë se një pjesë e njerëzve të pushtetit, disa deputetë, disa prokurorë, e disa gjykatës janë thellë të zhytur në rastin ‘Reket’. Andaj edhe pushteti nuk dëshiron që ky rast të udhëhiqet nga një prokuror objektiv që të ketë qasje në materialet që kanë të bëjnë me këtë skandal, pasi kjo mund të zgjeronte rrethin e personave të përfshirë në këtë krim të rëndë”, ka deklaruar Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja që është edhe pjesë e ekipit të kësaj partie në bisedimet me qeverinë.

Në takimin Zaev Mickovski nuk kanë marrë pjesë asnjë nga partitë politike shqiptare.

“Si parti nuk ishim në takim pasi nuk jemi pjesë e problemit. Ne si qeveri kemi qëndrime të harmonizuara dhe bashkërisht kemi hartuar draft-ligjin duke përfshirë në të edhe vërejtjet e BDI-së”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Ai tha se është optimist se kryeministri Zaev dhe kreu i opozitës, Mickovski do të vazhdojnë edhe më tej të punojnë në arritjen e zgjidhjes deri në 15 shtator dhe ligji të miratohet para tetorit që vendi të dëshmojë se ka përmbushur kriteret për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG