Ndërlidhjet

Nis procedura për shkarkimin e Katica Janevës


Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva

Këshilli i Prokurorëve pas një seance maratonë ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për nisjen e procedurës për shkarkimin e kryeprokurores Speciale, Katica Janeva, e cila ndodhet në paraburgim, si e dyshuar për rastin “Reketi”.

Kryetari i Këshillit, Kole Shterjev, tha se raporti do t’i dërgohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe pas shqyrtimit dhe miratimit nga ana e deputetëve, i njëjti do të rikthehet sërish në Këshillin e Prokurorëve, ku edhe përfundimisht do të konstatohet shkarkimi nga detyra e drejtueses së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva.

“Raporti do të pasqyrojë të gjitha dëshmitë, do të ketë dëshmi të mjaftueshme që Kuvendi republikan të mund të veprojnë. Institucioni ligjvënës duhet të dalë me propozim, ndërsa procedura, apo shkarkimi i Prokurores Speciale do të bëhet nga ana e Këshillit”, ka deklaruar Shterjev, pa dhënë detaje tjera mbi përmbajtjen e dëshmive, për të cilat Këshilli ka debatuar për shumë se 12 orë ditën e martë.

Se çfarë do të ndodhë me lëndët e Prokurorisë Speciale, nëse Janeva shkarkohet nga detyra dhe ndërkohë nuk zgjidhet prokuror në detyrë, kryetari i Këshillit të Prokurorëve, ka thënë se aktualisht, organi që drejton nuk merret me këtë çështje, pasi kështu parashihet në rregullativën e punës së këtij organi.

Sipas tij, Këshilli do të mund të emërojë prokuror në detyrë vetëm pasi Janeva të jetë shkarkuar nga detyra.

Ndërkohë, grupet e punës të partive politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për draft-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin zgjidhet edhe statusi i Prokurorisë Speciale, pasi 17 paditë e ngritura nga ky organ i akuzës kundër 94 ish-zyrtarëve të lartë, do të kalonin në procedim të Prokurorisë së re për Luftë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë, që parashihet me Ligjin për Prokurorinë Publike.

Ligji duhet të miratohet deri më 15 shtator kur skadon mandati i Prokurorisë Speciale, pasi në të kundërtën siç bëhet e ditur të gjitha këto lëndë mund të ndërpriten.

Kryeministri Zoran Zaev, sërish ka ftuar partitë që të arrijnë marrëveshje që të mos detyrohen institucionet të kërkojnë alternativa tjera për funksionimin e organeve gjyqësore.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte që ligji të miratohet me konsensus mes partive, ashtu siç është paraparë me Kushtetutë, me dy të tretat e votave në Kuvend. Ashtu siç ka bërë të ditur edhe ministrja e Drejtësisë, ka edhe alternativa tjera, por nuk do të donim që në orët e vona të natës të kërkojmë zgjidhje, pasi Prokuroria Publike dhe Gjyqësori në përgjithësi duhet të kenë të ardhme”, ka deklaruar Zaev.

Nga opozita, ndërkohë, kanë mirëpritur konstatimin e Këshillit të Prokurorëve, por pa dhënë detaje mbi pozicionin e saj për Ligjin e Prokurorisë që kundërshtohet nga VMRO DPMNE-ja në pjesën që i jep mundësi Prokurorisë së re që të vazhdojë me ngritjen e padive në bazë të materialeve që dalin nga materialet e përgjuara telefonike, që ndryshe njihet si afera e përgjimeve.

“Është mirë që Këshilli i Prokurorëve tregoi fuqi dhe respektim të ligjit në punën e tij dhe po ndjek normat pozitive të ligjit për Prokurorinë Speciale. Shpresojmë se në fund të procedurës të gjitha organet e ftuara që të veprojnë, nuk do të lejojnë që interesat politike të rrënojnë përcaktimet ligjore që janë të qarta dhe precize”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Në Komisionin parlamentar për çështje evropiane çështja për Ligjin e Prokurorisë është mbyllur pa debat me qëllim që t’u jepet mundësi grupeve parlamentare dhe Ministrisë së Drejtësisë që të harmonizojnë qëndrimet lidhur me 60 amendamentet e propozuara, nga VMRO DPMNE-ja opozitare, LSDM-ja dhe BDI-ja.

Bisedimet, siç bëhet e ditur nga partitë politike, do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës me qëllim të arritjes së një konsensusi mes partive, i domosdoshëm edhe për procesin integrues të vendit. Drejtuesit e institucioneve, por edhe njohësit e çështjeve juridike thonë se miratimi i këtij ligji mund të jetë vendimtar në marrjen ose jo të datës për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG