Ndërlidhjet

Rezoluta për vëllezërit Bytyçi nuk i shqetëson figurat përgjegjëse në Serbi


Ilustrim
Ilustrim

Miratimi i rezolutës nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë që u vranë në vitin 1999, nuk e ka shqetësuar ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, pjesëtarët e të cilës njësi dyshohen për kryerjen e krimit.

“Nuk jam i shqetësuar”, ka thënë Goran Radosavleviq Guri për Radion Evropa e Lirë në lidhje me rezolutën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, me të cilën kërkohet të zgjidhet rasti i vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, të tre shtetas amerikanë.

“Edhe në të kaluarën kanë miratuar rezoluta. Jam i lodhur nga komentimet”, ka thënë shkurt Radosavleviq Guri.

Zyra e Prokurorisë për Krime të Luftës e Serbisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po heton autorët e panjohur në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

“Prokuroria për Krime të Luftës vepron në atë mënyrë që mbledh provat dhe të dhënat e nevojshme në mënyrë që të vendoset nëse do të ngrit aktakuzë, pastaj mbledh provat e nevojshme për të vërtetuar identitetin e kryesit, si dhe provat për të cilat ka rrezik se nuk do të mund të përsëriten gjatë shqyrtimit gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale ", thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Serbisë.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.

Në rezolutë potencohet se trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviq, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur miratimin e rezolutës për vëllezërit “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, e cila, siç ka shkruar ai në Facebook, shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999.

“Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend”, ka shkruar Thaçi.

Kurse kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar po ashtu në Facebook se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje, por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.

“Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfisht që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri. Kjo rezolutë, e miratuar nga SHBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, transmeton Zëri i Amerikës, ka thënë se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

Engel tha se ai e di që autoritetet serbe kanë njohuri se kush janë personat përgjegjës.

"Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe të pranojë përgjegjësinë", tha ai.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.

"Dua t'i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend".

Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:

"Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t'i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen".

Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në dokument.

Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e ish zëvendës-ministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

XS
SM
MD
LG