Ndërlidhjet

Drama e votave nga Serbia


Votat nga Serbia duke u numëruar me masa mbrojtëse - 23 tetor, 2019

Prokuroria e Kosovës thotë se ende është në fazën e hetimeve lidhur me rastin e votave nga Serbia, për të cilat ishin ngritur dyshime se pas hapjes së zarfeve lëshonin një erë të rëndë çka u dyshua se kishte ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të 20 zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Prokuroria insiston se mostrat e këtyre zarfeve janë dërguar për ekzaminim në një prej laboratorëve evropianë, por nuk tregon se në cilin shtet.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Kosovës, Ekrem Lutfiu i ka thënë shkurt Radios Evropa e Lirë se janë në fazën e hetimeve dhe nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet rreth laboratorit ku janë dërguar analizat, pyetje këto shtesë që ka kërkuar Radio Evropa e Lirë.

Më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ishin ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre patën përfunduar të shtrirë në spital.

Por, që analizat laboratorike të pacientëve të shtrirë në spital kishin rezultuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkaktar infektiv.

Me gjithë dyshimet e ngritura, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati urdhëruar që nën masat e jashtëzakonshme mbrojtëse, votat e ardhura nga Serbia të numërohen. Ato u numëruan dhe më pas u përfshinë në kuadër të rezultatit zgjedhor.

Por, të njëjtat ishin kontestuar nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Ankesa e tyre u trajtua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili vendosi të hënën, më 11 nëntor, që të shpallen të pavlefshme.

Në arsyetimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thuhet se mënyra se si janë grumbulluar pakot me fletëvotime mënyra e dorëzimit të tyre në postën e KQZ-së nga persona të paautorizuar më shumë i ngjason votimit kolektiv i cili cenon dhe minon integritetin e procesit zgjedhor dhe është në kundërshtim me dispozitat ligjore

PZAP urdhëroi KQZ-në që të mos i përfshijë ato vota në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se pothuajse në secilën palë zgjedhje votat nga Serbia janë pranuar në procedura të njëjta.

“Me vendimin e PZAP-së lidhur me anulimin e votave që kanë ardhur nga Serbia është krijuar një precedan i ri sa i përket pranimit të kësaj kategorie të votave në zgjedhjet në Kosovë, duke qenë se deri më tani kemi pasur raste të shpeshta apo pothuajse në secilin palë zgjedhe kur votat nga Serbia janë pranuar në procedurë pothuajse të njëjtë madje në vitin 2013 kemi pasur OSBE-në e cila këto vota i ka marrë drejtpërdrejt në qendrat grumbulluese në Serbi që ka qenë e vendosur në qytetin e Nishit", tha Cakolli.

Anulimi i votave nga Serbia, shton Cakolli do të ndikojë edhe në rezultatet përfundimtare që do të certifikohen nga KQZ.

“Nëse nuk ka ndonjë ndryshim drastik në procesin e rinumërimit të rreth 1500 kutive atëherë me heqjen e këtyre votave koalicioni Nisma – AKR- PD do të kalojë pragun zgjedhor dhe do të fitojë 6 ulëse në Kuvend duke ndikuar që dy subjektet politike LDK dhe VV të cilat kanë pasur 61 deputetët që flitet se do të përbëjnë koalicionin qeverisës do të kenë 4 deputet më pak, VV do të ketë 3 deputet më pak, ndërsa LDK 1 deputet më pak”, tha Cakolli.

Për anulimin e votave nga Serbia ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe subjekti politik Lista Serbe.

Ata theksuan se edhe me anulimin e këtyre votave Lista Serbe vazhdon "t'i ketë në duart e saj te dhjetë mandatet" në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, Adnan Rrustemi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se tre deputetë të VV-së kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, pa e specifikuar se për cilin vendim të PZAP-së bëhet fjalë.

“Javë më parë, PZAP, dy herë kishte në dorë ankesën për votat e serbëve, e në të dyja rastet i kishte refuzuar. Herën e parë si të palejueshme, herën e dytë si pasafatshme, kurse herën e tretë, e njëjta u bë edhe e lejueshme edhe e afatshme".

"Por, jo. Vetëm pazari i PZAP-ë u bë vendim, e vendimi i tyre do të mbetët vetëm një devizë e pakëmbyeshme financiarisht. Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërkohë në mbledhjen e radhës të mbajtur të martën ka theksuar se lidhur me vendimin e PZAP-së për anulimin e votave nga Serbia ka pasur ankesa në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme, ka kohë 72 orë për të vendosur për ankesat eventuale.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG