Ndërlidhjet

Vendnumërimi diplomatik i Kosovës për ç’njohjet


Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të re gjatë vitit 2019 dhe për më shumë është ballafaquar me diplomacinë agresive të shtetit të Serbisë, autoritetet e të cilit kanë theksuar se kanë siguruar tërheqjen ose ngrirjen e njohjeve të Kosovës nga 15 shtete të ndryshme, të cilat paraprakisht e kishin njohur atë.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës në largim, vlerësojnë që agresiviteti diplomatik i Serbisë për të siguruar tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga vendet e ndryshme, ka qenë i pasuksesshëm.

Jetlir Zymberaj, këshilltar i ministrit në largim të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se “suksesi” i vetëm i Serbisë ka qenë krijimi lajmeve të rrejshme, kryesisht në mediet vendore të saj, duke manipuluar me çështjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, pikërisht lidhur me ketë çështje, diplomacia serbe ka pësuar fiasko në korrik të këtij viti.

“Kjo për shkak se në mediumet më prestigjioze perëndimore ka shpërthyer ai skandali i madh diplomatik, në të cilin është pasqyruar korrupsioni me shuma të larta parash, që diplomacia serbe, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka kryer vetëm për të përfituar një letër apo një konfirmim që shtetet përkatëse e mbështesin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe asgjë më shumë".

"Kjo, pra, thjeshtë dhe në esencë ka qenë vetëm një manipulim, ngase shtetet, që nga Serbia pretendohej që kanë tërhequr njohjet, kanë dhënë vetëm miratimin për mbështetjen e dialogut”, tha Zyberaj.

Ministria e Jashtme e Kosovës, në muajin gusht, e kishte akuzuar Qeverinë e Serbisë se ka ofruar ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendore. Akuza ishte bërë pas një shkrimi, lidhur me këtë çështje, në një portal të Republikës së Afrikës Qendrore, që përfshinte ministren e Jashtme të këtij vendi, Sylvie Baipo Temon, dhe një “Këshilltar të Posaçëm të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq".

Kosova pa dëshmi bindëse

Politologu Ramush Tahiri, e sheh situatën krejtësisht ndryshe. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që dialogun, të cilin e ka zhvilluar Kosova me Serbinë, kjo e fundit ka arritur ta prezantojë në mjaft vende të botës si bisedim për status të Kosovës dhe ka arritur t’i bindë ato vende që të ngrijnë ose të tërheqin njohjen ndaj Kosovës, derisa të arrihet një status me të cilin do të pajtohej Serbia.

‘Kjo ka pasur sukses, sepse Kosova nuk është prezantuar si shtete sovran dhe i pavarur, por është prezantuar me fusnotë dhe me Rezolutën 1244 (të KSH të OKB) dhe si e tillë, shumë vende janë vënë në mëdyshje. Nuk kemi pasur njohje dhe nuk kemi pasur anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Do të thotë, kemi një vendnumërim sa i përket avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi Tahiri.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës, Serbia ka ofruar më shumë argumente. Sipas tij, autoritetet serbe kanë ofruar fakte të shkruara, por edhe konferenca të përbashkëta të ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq me ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve, të cilat, siç thotë ai, kanë deklaruar se i kanë tërhequr njohjet.

“Ministria e Punëve të Jashtme ( e Kosovës) do të duhej që të ofronte dëshmitë maksimale, qoftë edhe me vizita zyrtare në ato vende, për të cilat pretendohet se e kanë çnjohur Kosovën, në mënyrë që ta bindë opinionin e Kosovës në qëndrimet e veta. Në të kundërtën mbetet t’i besojmë, për fat të keq, më shumë Serbisë se sa ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës”, u shpreh Muhaxhiri.

A është real numri i njohjeve të Kosovës?

Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, më 10 dhjetor, në një konferencë për media, kishte thënë se nuk ka asnjë tërheqje të njohjes së Kosovës.

Në faqen e internetit të kësaj ministrie, figurojnë 116 shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Por, a është ky numër i saktë dhe real?

Zymberaj, rikonfirmon deklaratën e shefit të tij, se Kosova ka njohjen nga 116 vende të botës.

“Ai është numër i njohjeve formale, ndërsa ‘de facto’ Kosovën e njohin shumë më shumë shtete se sa aq. Nëpër forume të ndryshme, nëpër aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, shumë shtete të fuqishme, që aktin formal të njohjes ende nuk e kanë lansuar, e kanë mbështetë me votën e tyre shtetin tonë dhe praktikisht, në kuptimin faktik, ajo është edhe njohje”, tha Zymberaj.

Por, politologu Tahiri, shpreh mendimin që Ministria e Jashtme e Kosovës e ka tërësisht gabim kur konsideron që njohjet që i janë bërë vendit, sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare, nuk mund të tërhiqen, për shkak se në këto të fundit nuk parashihet kjo tërheqje.

“Për mendimin tim, ky është qëndrim i gabuar dhe nuk i qëndron të vërtetës, sepse njohja nuk është ‘blanco’. Tërheqja e njohjeve, për shumë arsye ose ndërprerja e marrëdhënieve, mund të bëhet. Kosova kot i mban ato shtete, që i mban (në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme) e që e kanë njohur në një periudhë të caktuar Kosovën, nëse nuk ka marrëdhënie diplomatike me to, por edhe nëse nuk e ka përkrahjen e këtyre shteteve në agjendat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës, por që këtë mbështetje e ka Serbia”, vlerësoi Tahiri.

As analisti Muhaxhiri nuk beson që numri i njohjeve për Kosovën që pretendohet nga Ministra e Punëve të Jashtme është real.

“Jo. Kosova ende zyrtarisht nuk e ka një numër të saktë të vendeve që e kanë njohur, sepse mungojnë dëshmitë zyrtare të të gjitha shteteve. Pra, është një fatkeqësi që Ministria e Punëve të Jashtme nuk bëhet realiste dhe ta lë lojën politike para realitetit të argumenteve”, theksoi Muhaxhiri.

Që nga viti 2017, Serbia ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Ministria e Jashtme e Serbisë ka deklaruar se deri më tash 15 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG