Ndërlidhjet

Diplomacia regresive e Kosovës përballë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar


Ilustrim

Kosova deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale dhe profesionale, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike, por edhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Sipas tyre, mosfunksionimi i duhur i diplomacisë së vendit, deri më tash, kryesisht ka reflektuar fenomene, të cilat kanë qenë të ngarkuara me elementin politik dhe kanë prodhuar veprime jo të mira. Për më shumë, siç thonë ata, Kosova tashmë disa vite gjendet në defensivë diplomatike karshi Serbisë, si dhe nuk ka arritur të bëjë më shumë për forcimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Kosova gjendet në defensivë diplomatike, për shkak se sipas tij, vendi nuk e ka të ndërtuar në mënyrë të qartë dhe të dukshme objektivin, deri te i cili dëshirohet të shkohet përmes diplomacisë.

“Për më tepër, jo vetëm që nuk e kemi këtë objektiv, por kemi rënë në regres, në kuptimin, te vendet e caktuara. Si rezultat i humbjes së kontakteve, ato vende kanë filluar të bien pre e shantazheve dhe formave të tjera të korrupsionit, të cilat Serbia po i bën aktualisht dhe me të cilat Kosova nuk po mund të përballet. Mendoj që këto janë efekte, të cilat në radhë të parë vijnë nga fushata e egër - e cila edhe nuk pritet të jetë ndryshe - nga Serbia, si dhe e dyta, nga paaftësia e diplomacisë sonë që t’i adresojë të njëjtat dhe të njëjtave t’u jep përgjigje”, thotë Hoti.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Social Demokrate, Dukagjin Gorani, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në vendet e Ballkanit, e sidomos në Kosovë dhe në Serbi, politika e jashtme në mjaft raste përdoret për mbizotërim në politikën e brendshme, por edhe në politikën e fqinjësisë.

Në këtë mënyrë, sipas tij, shpërfaqet edhe përplasja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me njohjet e shtetit të Kosovës ose tërheqjeve të njohjeve nga vende të caktuara, të cilat i pretendon Serbia.

“Nuk mendoj që kjo çështje varet nga shkathtësia e ndonjë ministri dhe as nga urgjenca ose saktësia dhe efikasiteti i burokracisë së politikës së jashtme. Meqenëse njohja, duke qenë se është një hap dhe një vullnet politik i një shteti të caktuar, ajo e përfshinë edhe kontekstin shoqëror të vendit, të cilin e ka ndërmend ta njohë. E përfshinë edhe realitetin politik, ekonomik dhe shoqëror të atij vendi dhe jo vetëm fjalën e ministrit të Jashtëm ose ndonjë telegram ose korrespondencë të ministrisë së caktuar”, theksoi Gorani.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, ka mohuar pretendimet e autoriteteve të Beogradit se disa shtete e kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës.

“Ne nuk e kemi asnjë letër, asnjë pjese të ndonjë shkrimi diku se është tërhequr ndonjë njohje”, ka thënë Pacolli.

Në anën tjetër, deputeti Gorani, thekon se çështja e tërheqjeve të njohjeve të caktuara ndaj Kosovës, mbetet në domenin e spekulimeve edhe nga Beogradi, por edhe nga Prishtina. Diplomacia e kësaj të fundit, sipas tij, nuk është në gjendje t’i konfirmojë nëse ka ose jo tërheqje të njohjeve nga vendet e caktuara, të cilat pretendon Beogradi.

“Pra, njohjet dhe proceset bilaterale, te ne e marrin formën e debatit ose polemikës fqinjësore në mes neve dhe Beogradit në kontekstin e asaj ‘jo, ne ju mundëm juve – jo, ju na mundët neve’. Mirëpo, e vërteta është që procesi i njohjeve duhet të shikohet i pandashëm nga procesi politik. Pastaj, nga problemi i pazgjidhur politik, i cili ekziston ndërmjet Republikës s Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që këtë ndërlidhje, dështon që ta interpretojë drejtë politika kosovare dhe me këtë edhe Qeveria, e sidomos Ministria e Jashtme”, theksoi Gorani.

Ai ka shtuar se sa më shumë që të zgjasë procesi i dialogut me Serbinë, Kosova duhet të pajtohet dhe të jetë e durueshme me faktin që eventualisht nuk do të ketë njohje të reja për një periudhë të pacaktuar.

Ndërkaq, profesor Hoti shpreh mendimin që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga fillimi i tij, ka pasur ndikime në imazhin juridik ndërkombëtar të Kosovës, si dhe në mbajtjen pezull të njohjeve të reja nga vende të caktuara, të cilat sipas tij, kanë qenë afër vendimit për ta njohur Kosovën.

Sipas tij, Kosova nuk ka arritur që përmes diplomacisë, por as përmes institucioneve të brendshme që ta artikulojë qartë që procesi i dialogut me Serbinë është proces për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe jo për zgjidhjen e statusit të Kosovës, siç e pretendon Serbia.

“Paaftësia e institucioneve tona dhe në veçanti e diplomacisë për ta artikuluar dhe prezantuar një argument të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar, se (me Serbinë) po flasim për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, ka sjellë si rezultat, pa dilemë, mbetjen pezull ose stagnimin që vendet e caktuara të ndërmarrin hapat e tyre për ta njohur Kosovën".

"Për më shumë,në regres, gjithsesi edhe për të marrë vendime të tjera - që nuk janë të njohura në teori, por që vende të caktuara, të pafuqishme, që mund të bien dhe bien pre eshantazheve dhe formave të tjera të korrupsionit – pra, ndërmarrin veprime të tilla, që tashmë po njihen si çnjohje”, vlerësoi Hoti.

Sidoqoftë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, ka theksuar se Kosova i ka 116 njohje, ka marrëdhënie diplomatike me mbi 90 shtete, si dhe i ka notat verbale për njohje nga më shumë se 110 shtete.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG