Ndërlidhjet

Thaçi kërkon angazhim në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në burgje


Pamje nga takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me udhëheqës të insitucioneve të drejtësisë.
Pamje nga takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me udhëheqës të insitucioneve të drejtësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga krerët e institucioneve të drejtësisë që të ndërmerren të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në institucionet korrektuese të Kosovës.

“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij në gjetjen e një zgjidhjeje më të shpejtë duhet të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës.

Thaçi i bëri këto komente në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, Kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Përndryshe, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që disa kategori të të burgosurve të lirohen nga vuajtja e dënimit, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Të njëjtën kërkesë ditë më parë e ka parashtruar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila ka kërkuar nga institucionet që të bëhen ndryshime ligjore, me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë.

Sipas këtyre organizatave, Kosova aktualisht ka rreth 2,000 persona të burgosur.

Ditë më parë është raportuar për dy gardianë të infektuar me koronavirus në burgun e Mitrovicës Veriore.

Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.

Nga dita e mërkurë në këtë shtet kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

  • Detajet mbi oraret dhe kategoritë të cilave u lejohet qarkullimi mund t’i gjeni këtu.
  • Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG