Ndërlidhjet

Arrin në 88 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të mërkurën për dy viktima tjera nga koronavirusi, me çka numri i të vdekurve ka arritur në 88. Viktimat janë nga Prilepi dhe Manastiri, dy të moshuar që kishin edhe probleme tjera shëndetësore.

Sipas raportit të Ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 13 raste të reja me koronavirus, që paraqet rritje në krahasim me tre ditët e fundit, kur numri i të infektuarve ishte nën dhjetë persona.

Numri i personave që ende janë aktivë me sëmundjen COVID-19, që shkakton ky virus është 394 ndërsa i personave të shëruar ka arritur në 1,057. Që nga paraqitja e pandemisë, me koronavirus janë evidentuar 1,539 ndërsa numri i testeve të kryera është 17,836.

Drejtuesit e institucioneve kanë njoftuar se nga java tjetër do të nisin me masat lehtësuese të lëvizjes dhe për rifillimin e punës së disa prej bizneseve, por në përputhje me kushtet e përcaktuara nga komisioni i sëmundjeve ngjitëse.

Restorantet dhe kafenetë do të rihapen vetëm për shërbime në ambiente të jashtme, edhe atë me kapacitete të përgjysmuara për shkak të respektimit të distancës fizike.

Nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë në kontakt me ministritë përkatëse të shteteve të rajonit, por edhe me ato të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e mundësive për hapjen e kufijve, sapo të konstatohet se mundësitë e lejojnë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG