Ndërlidhjet

Edhe pesë raste të reja me koronavirus në Vuhan


Vuhan, Kinë

Raste të reja me koronavirus u raportuan të hënën në Vuhan të Kinës – qytetin e origjinës së koronavirusit.

Të dielën, Vuhani raportoi rastin e parë qysh më 3 prill, ndërsa sot tha se ka konfirmuar edhe pesë raste të tjera.

Sipas autoriteteve atje, të gjithë të infektuarit e rinj janë identfikuar në të njëjtin kompleks banesor.

"Duhet ta parandalojmë rrezikun e rikthimit të sëmundjes", tha Autoriteti Shëndetësor i Vuhanit.

Të gjitha rastet e fundit janë klasifikuar më herët si asimptomatike - domethënë, ato kanë testuar pozitive për virusin, por nuk kanë shfaqur shenja klinike, të tilla si kollë apo temperaturë.

Këta njerëz mund ta përhapin virusin pavarësisht se nuk janë të sëmurë, por Kina nuk i numëron rastet asimptomatike në numrin zyrtar të të infektuarve të konfirmuar, deri sa të tregojnë simptoma.

Qindra raste asimptomatike janë duke u monitoruar nga autoritetet shëndetësore në Vuhan.

Kina i ka lehtësuar masat e izolimit në javët e fundit, pasi numri i rasteve të reja ka rënë.

Në gjithë Kinën, mbi 84,000 njerëz janë infektuar me koronavirus dhe mbi 4,600 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG