Ndërlidhjet

Shpallja e Ligjit për pagat jokushtetues, i demotivon punëtorët shëndetësorë


Punonjësit shëndetësor gjatë pandemisë - Prishtinë, 30 qershor 2020.

Punëtorët shëndetësorë janë demotivuar dhe zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila të martën ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik, të miratuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt në dhjetor të vitit 2019.

Sipas përfaqësuesve të Sindikatës së punëtorëve shëndëtësorë, kjo mund të ndikojë në largim të stafit mjekësor nga institucionet publike.

Me këtë ligj, një mjeku specialist parashihej t’i rritej paga nga 600 në 1.200 euro, kurse një infermieri nga rreth 400 në 525 euro. Mjeku i sapodiplomuar, pagë mujore merr 502 euro, kurse me Ligjin për paga, tashmë të shfuqizuar, ishte paraparë të merrte 800 euro.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Blerim Syla, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë e vlerëson skandaloz vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e sidomos në këtë kohë, siç thotë ai, kur punëtorët shëndetësorë gjenden në vijën e parë të frontit me pacientët e infektuar me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen Covid-19.

Ai thotë se në vend që të gjenden mënyra për motivim, tashmë dalin vendime demotivuese për punëtorët shëndetësorë.

“Ky është një demotivim. Deri dje ka pasur statistika që 73 për qind e mjekëve të rinj dëshirojnë të lëshojnë Kosovën, por më këto vendime gjyqësore këto statistika mund të arrijnë në 100 për qind”, tha Syla.

“Ndërsa, sot në momentin aktual kur pandemia ka marrë hov, ku Kosova renditet e treta për së keqi, atëherë punëtorët shëndetësorë përveç se janë stërlodhur, janë edhe të zhgënjyer”, shtoi ai.

Syla pohon se pas vendimit të Gjykatës, situata mund të dalë jashtë kontrolli deri te bojkotimi i punës nga punëtorët shëndetësorë.

“Pandemia është pandemi dhe me këtë do të merremi se paku edhe një vit. Por, në të njëjtën kohë punëtorët shëndetësorë e kanë edhe jetën e tyre. Andaj, kam frikë se situata do të dalë jashtë kontrollit, pa dëshirën tonë. Në shëndetësi kemi anesteziologë, kemi kirurgë e të tjerë. Mund të dalin një grup i caktuar dhe me plotë të drejtë të fillojnë edhe grevat apo edhe bojkotimi i punës. Bojkotim i punës do të thotë se do të shkojnë në shtëpi dhe të punojnë në sektorin privat”, thotë Syla.

Edhe Sindikata e Infermierëve ka reaguar pas shpalljes së pavlefshme të Ligjit për pagat nga Gjykata Kushtetuese.

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, tha se pas përfundimit të situatës me pandeminë e koronavirusit, ky komunitet do të ndërmarrë hapa të tjerë, duke mos anashkaluar edhe mundësinë e grevave.

“Ne si komunitet i infermierëve, në këtë kohë pandemie, kur njerëzit, familjet dhe qytetarët tanë kanë nevojë për ndihmën tonë më shumë se kurrë, ne do të jemi pranë tyre. Por, pandemia një ditë do të marrë fund, dhe menjëherë do të kërkojmë të drejtat tona legjitime”, tha Havolli në një konferencë për media.

Në sistemin shëndetësor në nivel vendi punojnë rreth 14 mijë punëtorë, prej tyre 11 mijë janë mjekë dhe infermierë.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka shprehur keqardhje për shpalljen e ligjit nga Gjykata Kushtetuese si të pavlefshëm, por ka shtuar se “kjo nuk nënkupton që me këtë akt, ka përfunduar çdo gjë rreth angazhimeve për përmirësimin e pozitës materiale të profesionistëve shëndetësorë”.

“Pandemia dhe puna që personeli shëndetësorë kanë treguar gjatë kësaj kohe është një argument më shumë për të bindur edhe të tjerët se është e domosdoshme që nismat ligjore për përmirësimin e statusit social të punonjësve shëndetetësorë janë të domosdoshme”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është zotuar për fillim të shpejtë të procedurave të adresimit të vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese, karshi këtij ligji, në mënyrë që, siç tha ai, shumë shpejtë të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

“Rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet në një proces të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik sepse Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtim dinjitoz për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe në sektorin privat”, tha Hoti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur gjatë ditës së mërkurë.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka konsideruar si të papranueshëm. Sipas kësaj sindikate, “ky është mohim i së drejtës në përfitim nga puna për mbi 62.000 shërbyes civilë".

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të martën ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Ligjin për paga në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Kurse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 qershor 2020.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG